Një britanik i dyshuar si spiun i Rusisë, arrestohet në Gjermani

Një britanik i dyshuar si spiun i Rusisë, arrestohet në Gjermani

12:48, 11/08/2021

Një britanik është arrestuar në Gjermani nën dyshimin për spiunazh për Rusinë.

Prokurorët federalë gjermanë thanë se personi - i quajtur vetëm si David S - punonte në ambasadën britanike në Berlin.

Ai dyshohet se i kaloi dokumentet inteligjencës ruse "të paktën një herë" në këmbim të një "sasie të panjohur" parash.

Ai u arrestua në Potsdam jashtë Berlinit të martën dhe shtëpia dhe vendi i tij i punës janë kontrolluar.

Arrestimi ishte rezultat i një hetimi të përbashkët britaniko-gjerman, thuhet në deklaratë.

Policia Metropolitane e Londrës ka konfirmuar arrestimin e një shtetasi britanik 57-vjeçar në Gjermani, si dhe përfshirjen e Komandës Kundër Terrorizmit.

Autoritetet gjermane janë përgjegjëse për hetimin, por oficerët do të vazhdojnë të punojnë me homologët gjermanë, tha policia.

Britaniku do të dalë para një gjykatësi hetues të mërkurën.

Prokurorët thanë se ai ishte punësuar si anëtar i stafit vendas në ambasadë.

Marrëdhëniet gjermane dhe britanike me Rusinë tashmë janë tendosur pas disa incidenteve të nivelit të lartë në vitet e fundit.

Mbretëria e Bashkuar e akuzoi Rusinë se ishte përgjegjëse për një sulm me një substancë kimike në 2018 në Salisbury kundër Sergei dhe Julia Skripal - një akuzë që Rusia e ka mohuar vazhdimisht.

Të dy i mbijetuan sulmit. Por Dawn Sturgess, 44 vjeç, vdiq pasi ra në kontakt me një shishe parfumi që mendohej se ishte përdorur në incident.

Ndërkohë Gjermania e kuroi disidentin rus Alexei Navalny pasi ai u helmua me substancën kimike Novichok në një fluturim rus vitin e kaluar. Autoritetet ruse gjithashtu kanë mohuar vazhdimisht përfshirjen e tyre në këtë incident.

Muajin e kaluar Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti amerikan Joe Biden u zotuan të qëndrojnë së bashku "kundër agresionit rus".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco