Rusia ia injoron ultimatumin Çekisë, priten dëbime masive dhe rritje tensionesh

Rusia ia injoron ultimatumin Çekisë, priten dëbime masive dhe rritje tensionesh

15:23, 22/04/2021

Ka kaluar pa u respektuar ultimatumi i Republikës Çeke ndaj Rusisë për kthimin e 20 diplomatëve të dëbuar në ambasadën çeke në Moskë. Tani sytë janë nga Praga, e cila ka paralajmëruar se do të dëbojë rreth 60 diplomatë rusë.

Në një intervistë për një faqe çeke, kryediplomati Kulhanek tha se rreth 60 pjesëtarë të stafit të Ambasadës Ruse do të dëbohen, nëse Moska e injoron ultimatumin.

Në anën tjetër, Rusia tha të enjten se do të hakmerret ndaj çfarëdo mase të re që merret nga Çekia kundër stafit diplomatik. Mariha Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, e akuzoi Pragën se po bën performanca dhe u zotua se Moska do të kundërpërgjigjet.

Në një përplasje diplomatike rreth rolit të pretenduar të Rusisë në shpërthimin vdekjeprurës në një depo armësh në Çeki, autoritetet çeke dëbuan 18 diplomatë rusë më 19 prill. Në anën tjetër, Rusia u hakmor menjëherë duke dëbuar 20 diplomatë çekë nga Moska.

Masa hakmarrëse nga Kremlini e ka nxitur përplasjen më të madhe mes Pragës dhe Moskës që nga përfundimi i sundimit komunist më 1989, duke e vendosur shtetin e vogël evropian në qendër të rritjes së tensioneve mes Rusisë dhe Perëndimit, shkruan Free Europe.

Ministri i Punëve të Jashtme i Çekisë, Jakub Kulhanek, tha para gazetarëve të mërkurën se Rusia ka kohë deri në orën 12 të mesditës së të enjtes që ta lejojë kthimin e të gjithë diplomatëve të dëbuar në Ambasadën Çeke në Moskë.

“Nëse ata nuk mund të kthehen, unë do ta zvogëloj numrin e stafit të Ambasadës Ruse në Pragë për t’u përputhur me gjendjen e tanishme në Ambasadën Çeke në Moskë”, tha kryediplomati i Republikës Çeke, i cili u emëruar ministër saktësisht në ditën kur e bëri këtë deklaratë – të mërkurën.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se Praga duhet t’i ruajë ultimatumet për komunikim brenda NATO-s. “Me Rusinë, një ton i tillë është i papranueshëm”, tha ajo, duke shtuar se Moska do ta thërrasë në raportim ambasadorin çek të enjten.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco