Historia e urës së spiunëve që frymëzoi Hollivudin

Historia e urës së spiunëve që frymëzoi Hollivudin

08:33, 11/02/2023

60 vjet më parë më 10 shkurt 1962, në orën 8.44, dy burra takohen në Glienicke Brücke, në atë që do të mbahet mend si “ura e spiunëve”, në lumin Havel, midis Potsdamit dhe Berlinit Perëndimor, një simbol i Luftës së Ftohtë. Njëri është piloti amerikan Gary Powers, tjetri agjenti i KGB-së Rudolf Abel, në kohën e konfliktit mes bllokut lindor dhe atij perëndimor. Ky është një nga shkëmbimet më të famshme të agjentëve sekretë në histori.

Por në prill 1945 Ura Glienicke, ishte skena e një prej betejave të fundit të Luftës së Dytë Botërore midis Ushtrisë Naziste dhe Ushtrisë së Kuqe. Ushtarët e Rajhut, në pritje të kalimit të armiqve nga ana lindore, kishin vendosur eksploziv në shtyllat e urës, por u befasuan nga ushtarët rusë, të cilët, duke mbërritur nga ana e kundërt, e bombarduan dhe e shkatërruan pjesërisht.

Pas përfundimit të restaurimit në dhjetor 1949, Glienicke Brücke, mori një rëndësi themelore historike. Ajo u bë pikë kalimi midis sektorit amerikan të Berlinit Perëndimor dhe Republikës Demokratike Gjermane ( RDGJ komuniste ). Kufiri u vendos përgjatë një linje të vendosur në gjysmë të rrugës përtej urës, e cila u mbyll për qarkullim tre vjet më vonë. Pikat e kontrollit mund të kaloheshin vetëm nga personeli diplomatik dhe nga qytetarët me një leje të veçantë.

Pas ndërtimit të Murit të Berlinit, në vitin 1961, ura u përdor si vend shkëmbimi i të burgosurve midis blloqeve perëndimore dhe lindore, e quajtur nga gazetat “ura e spiunëve”, u bë një nga simbolet e Luftës së Ftohtë. Deri pas rënies së Murit (9-10 nëntor 1989), ura u rihap për qytetarët.

Më 21 qershor 1957, agjenti sovjetik Vilyam Genrikhovich Fisher, i cili jetonte duke u shtirur si artist në Brooklyn nën emrin e Rudolf Ivanovich Abel, u arrestua nga FBI, i akuzuar se kishte transmetuar sekretet bërthamore tek rusët, falë një informacioni nga kolegu i tij Reino Häyhänen.

Tre vjet më vonë, më 1 maj 1960, një avion spiun U-2 i SHBA-së në një fluturim sekret mbi BRSS (Siberi) u rrëzua dhe piloti, kapiteni Francis Gary Poëers, u kap dhe u dënua me 10 vjet burg dhe punë të rëndë. Në prill të vitit pasardhës, marrëdhëniet mes superfuqive, tashmë të tensionuara, precipituan pas zbarkimit në Gjirin e Derrave, ku SHBA dështoi në përpjekjen e saj për të pushtuar Kubën.

Në këtë klimë, avokati i Nju Jorkut, James Donovan, i cili kishte mbrojtur Abelin në gjyq, duke shmangur dënimin me vdekje, u dërgua nga qeveria amerikane për të negociuar me sovjetikët lirimin e Powers në këmbim të Abelit. Më 10 shkurt 1962, shkëmbimi i të burgosurve që frymëzoi filmin e regjisorit Steven Spielberg, Ura e spiunëve (2015) u zhvillua në Glienicke Brücke, me Tom Hanks në rolin e avokatit Donovan.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco