Vetëm pak ditë para finales së Kupës së Botës 2026, e ardhmja e Gianni Infantinos në krye të FIFA-s ka nisur të vihet seriozisht në diskutim. Me zgjedhjet e ardhshme presidenciale të organizatës që afrohen, disa federata europiane po punojnë për të gjetur një kandidat të aftë për të sfiduar presidentin aktual të institucionit më të lartë të futbollit botëror.
Sipas raportimeve të gazetarit anglez Ben Jacobs për “TalkSPORT”, emri që po qarkullon më shumë si alternativë ndaj Infantinos është ai i Nasser Al-Khelaïfit, president i Paris Saint-Germain dhe një prej figurave më të fuqishme të futbollit europian.
Al-Khelaïfi thuhet se ka fituar mbështetjen e disa federatave anëtare të UEFA-s, mes të cilave përmenden Belgjika dhe Polonia. Ndërkohë, drejtues të futbollit në vende si Bosnja, Norvegjia, Suedia, Gjermania dhe Spanja po shqyrtojnë edhe kandidatura të tjera europiane. Një nga emrat alternativë është edhe Dariusz Mioduski, pronari i klubit polak Legia Varshavë.
Pakënaqësia ndaj Infantinos është rritur veçanërisht pas polemikave të lidhura me “çështjen Balogun”. Sulmuesi i kombëtares amerikane, Folarin Balogun, kishte marrë një karton të kuq gjatë Botërorit, por pezullimi i tij u anulua më pas pas një telefonate mes presidentit amerikan Donald Trump dhe Gianni Infantinos, ku u kërkua rishikimi i vendimit.
Ky episod ka shkaktuar reagime të forta në disa qarqe europiane, të cilat e kanë interpretuar si një ndërhyrje që prek pavarësinë e vendimeve sportive dhe autonominë e FIFA-s.
Megjithatë, pozitat e Infantinos mbeten të fuqishme. Presidenti aktual vazhdon të ketë mbështetje të gjerë nga federatat jashtë Europës, veçanërisht në Afrikë, Azi dhe zonën e CONCACAF. Projektet e tij për zgjerimin e Kupës së Botës në 64 skuadra dhe organizimin e një Botërori për Klube çdo dy vite kanë gjetur mbështetje në këto rajone për shkak të përfitimeve financiare dhe mundësive më të mëdha sportive.
Me afrimin e zgjedhjeve, lufta për drejtimin e FIFA-s pritet të jetë një nga betejat më të forta politike në historinë e futbollit modern. Përballja mes Infantinos dhe kundërshtarëve të tij europianë mund të përcaktojë jo vetëm presidentin e ardhshëm, por edhe drejtimin që do të marrë futbolli botëror në vitet e ardhshme.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: