Bayern-Harry Kane, propozimi për rinovimin e kontratës

Bayern-Harry Kane, propozimi për rinovimin e kontratës

17:37, 19/05/2026

Mes festimeve për titullin e 35-të kampion dhe objektivit për të fituar “dopjetën”, te Bayerni po punohet intensivisht edhe për të ardhmen e skuadrës.

Prioritet absolut mbetet zgjatja e kontratës së sulmuesit anglez, Harry Kane.

Pas triumfit në Bundesligë, bavarezët festuan fillimisht në “Alianz Arena”, më pas në “Nockherberg” të Mynihut, ndërsa festa me tifozët do të kulmojë të dielën në ballkonin e bashkisë së qytetit.

Sezoni aktual ka qenë historik për Bayernin, që theu rekordin e vjetër të sezonit 1971-1972 me 122 gola të shënuar në Bundesligë.

Një meritë të madhe për këtë sukses ka pasur treshja sulmuese e përbërë nga Luis Díaz, Olise dhe Harry Kane, i cili vazhdon të jetë lideri i ofensivës bavareze.

Që prej transferimit në vitin 2023, askush nuk ka realizuar më shumë gola se kapiteni i Anglisë.

Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit e Bayernit duan ta mbajnë sa më gjatë në Mynih.

Palët kanë nisur tashmë bisedimet konkrete për rinovimin e kontratës.

Klubi gjerman i ka propozuar një marrëveshje deri në vitin 2029, ndërsa Kane synon të qëndrojë deri në verën e vitit 2030.

Në atë periudhë, sulmuesi anglez do të jetë pothuajse 37 vjeç, çka e bën këtë kontratën e fundit të madhe të karrierës së tij në Europë.

Interesimi nga klube me potencial të madh financiar mbetet i lartë, por prioriteti i lojtarit është vazhdimi i aventurës me Bayernin.

Familja e Kane është përshtatur mjaft mirë me jetën në Mynih, ndërsa edhe vetë lojtari është i kënaqur me zhvillimin sportiv dhe trofetë e fituar me bavarezët.

Negociatat pritet të vazhdojnë, pasi çështja financiare mbetet një pikë kyçe, por aktualisht Bayerni konsiderohet favorit për të siguruar firmën e bomberit anglez.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco