Dani Carvajal i ka dhënë fund aventurës së tij historike me Real Madridin, pasi klubi madrilen konfirmoi zyrtarisht largimin e kapitenit spanjoll në përfundim të kontratës së tij.
Mbrojtësi i djathtë 34-vjeçar publikoi një video emocionuese lamtumire për tifozët dhe klubin ku u rrit si futbollist, duke mbyllur kështu një kapitull të jashtëzakonshëm që zgjati më shumë se një dekadë në “Santiago Bernabeu”.
Carvajal largohet nga Reali pas 450 ndeshjesh zyrtare dhe 27 trofesh të fituar, mes tyre gjashtë trofe të Champions League dhe katër tituj të La Liga.
Veterani spanjoll ka vuajtur nga dëmtime të shumta gjatë viteve të fundit dhe këtë sezon humbi vendin e titullarit pas ardhjes së Trent Alexander-Arnold.
Për herë të parë pas më shumë se një dekade, ai nuk ishte zgjedhja e parë në krahun e djathtë të mbrojtjes, situatë që ndikoi edhe në mungesën e tij në listën e Spanjës për Kupën e Botës.
Në mesazhin e tij prekës, Carvajal kujtoi rrugëtimin nga akademia “La Fabrica” deri te netët magjike europiane me fanellën madrilene.
“Po e mbyll këtë kapitull pas më shumë se 450 ndeshjesh, duke dhënë absolutisht gjithçka. Largohem me zemrën plot dhe krenari të përjetshme”, shkroi ai mes të tjerash.
Pas publikimit të videos së lamtumirës, shumë legjenda të klubit reaguan në rrjetet sociale.
Sergio Ramos, Iker Casillas dhe Nacho Fernandez i bënë homazhe ish-kapitenit madrilen, ndërsa Vinicius Junior e cilësoi atë si “mbrojtësin e djathtë më të mirë në histori”.
Edhe presidenti Florentino Perez publikoi një mesazh të veçantë për largimin e Carvajalit, duke e quajtur atë “simbol të Real Madridit dhe akademisë së klubit”.
“Carvajal gjithmonë ka përfaqësuar vlerat e Real Madridit. Kjo do të jetë gjithmonë shtëpia e tij”, deklaroi Perez.
Me largimin e Dani Carvajalit, mbyllet një tjetër epokë e artë për madrilenët dhe një nga historitë më të suksesshme të një futbollisti të dalë nga akademia e klubit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: