Paulo Dybala do të vazhdojë të jetë pjesë e Romës. Klubi verdhekuq ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës së sulmuesit argjentinas deri më 30 qershor 2027, duke i dhënë fund çdo dyshimi për të ardhmen e tij.
Marrëveshja e re u finalizua pasi agjenti i lojtarit, Carlos Novel, zhvilloi takimet e fundit në qendrën stërvitore të Trigorias për të mbyllur detajet e kontratës. Dybala ka firmosur një zgjatje njëvjeçare, pa opsion për një sezon shtesë, ndërsa do të përfitojë rreth 3 milionë euro në sezon, plus bonuset e parashikuara në kontratë.
Sezoni i kaluar ishte i vështirë për “La Joya”-n, pasi u kushtëzua nga dëmtimet e shumta. Për këtë arsye, drejtuesit e Romës vendosën ta shtynin diskutimin për rinovimin deri në këtë verë.
Kontrata e mëparshme e argjentinasit kishte përfunduar më 30 qershor, por mbajtja e tij në skuadër ishte një nga prioritetet e trajnerit Gian Piero Gasperini. Tekniku italian e konsideron Dybalën një element kyç për projektin e ri dhe për rikthimin e Romës në UEFA Champions League.
Në javët e fundit kishte interes konkret edhe nga Boca Juniors, por sulmuesi 32-vjeçar gjithmonë i dha përparësi qëndrimit në kryeqytetin italian.
Dybala iu bashkua Romës në verën e vitit 2022, pas largimit nga Juventusi. Gjatë aventurës së tij me fanellën verdhekuqe ai ka zhvilluar 139 ndeshje zyrtare dhe ka realizuar 45 gola, duke u kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm dhe më të dashur për tifozët.
Pas rinovimit të kontratës, Dybala do t'i bashkohet menjëherë skuadrës për të nisur përgatitjet për sezonin e ri, me synimin për të ndihmuar Romën të jetë konkurruese në Serie A dhe në Champions League.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: