Sulmuesi shqiptar i Trabzonsporit, Ernest Muçi, po kalon një periudhë më të vështirë në aspektin realizues, pasi ka humbur ritmin e tij të zakonshëm për shkak edhe të problemeve fizike në javët e fundit.
I huazuar me opsion blerjeje nga Beşiktaş-i pas fillimit të sezonit, Muçi kishte nisur shumë mirë aventurën e tij me skuadrën nga Trabzoni. Në kampionat, ai ka shënuar 10 gola në 26 ndeshje, ndërsa në Kupën e Turqisë ka shtuar edhe 3 gola të tjerë në 6 paraqitje, duke u shndërruar në një nga lojtarët më vendimtarë të ekipit.
Në total, në 31 ndeshje në të gjitha kompeticionet (përfshirë Superkupën), sulmuesi shqiptar ka realizuar 13 gola, një shifër që përfaqëson periudhën më produktive të karrierës së tij deri më tani.
Megjithatë, forma e tij ka pësuar rënie në javët e fundit. Për shkak të dëmtimeve, Muçi nuk ka arritur të shënojë në 10 javët e fundit të kampionatit, duke hyrë në një seri “thatësire” golash, që po zgjat.
Pas golit të fundit të shënuar më 14 shkurt në ndeshjen ndaj Fenerbahçe, ai ka humbur efektivitetin përpara portës, ndërsa ka munguar edhe në disa takime për shkak të problemeve fizike, përfshirë përballjet ndaj ekipeve si Galatasaray dhe Başakşehir.
Pasi është rikthyer gradualisht në fushë, duke marrë minuta në ndeshjet ndaj Konyaspor dhe Göztepe, Muçi po punon për të rikuperuar formën e tij më të mirë.
Në rast se arrin të shënojë në ndeshjen e radhës, ai do të mbyllte një seri prej 84 ditësh pa gol dhe do të synonte të rikthehet si një nga lojtarët kyç të skuadrës turke në fundin e sezonit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: