Në kampin e Real Madridit është rikthyer tensioni pas raportimeve për një incident mes mbrojtësit gjerman, Antonio Rüdiger, dhe mbrojtësit të majtë spanjoll, Álvaro Carreras. Sipas disa burimeve mediatike në Spanjë, dy lojtarët janë përfshirë në një përplasje fizike në dhomat e zhveshjes, ku Rüdiger dyshohet se ka goditur Carreras me një shuplakë pas një momenti tensioni gjatë stërvitjes.
Raportimet e para sugjerojnë se incidenti ka ndodhur në periudhën mes ndeshjeve kundër Deportivo Alavés dhe Real Betisit, duke shtuar edhe më shumë zhurmë rreth atmosferës brenda klubit madrilen.
Megjithatë, vetë Carreras ka reaguar publikisht për të qetësuar situatën dhe për të mohuar çdo dramatizim të ngjarjes. Ish-lojtari i Benfica ka theksuar se bëhet fjalë për një keqkuptim të tejkaluar dhe pa rëndësi.
“Gjatë ditëve të fundit kanë qarkulluar insinuata që nuk pasqyrojnë realitetin. Angazhimi im për këtë klub ka qenë total që nga dita e parë dhe do të vazhdojë të jetë i tillë,” ka deklaruar Carreras.
Ai shtoi gjithashtu se marrëdhënia e tij me ekipin është shumë e mirë dhe se çështja me Rüdiger është mbyllur menjëherë brenda skuadrës: “Është një situatë e izoluar dhe pa rëndësi, tashmë e sqaruar. Marrëdhënia ime me të gjithë shokët e ekipit është e shkëlqyer.”
Pavarësisht sqarimit të lojtarit, lajmi ka tërhequr vëmendje të madhe në Spanjë, në një moment kur Real Madridi po përpiqet të ruajë stabilitetin në fundin e sezonit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: