Manchester City po hyn në fazën vendimtare të sezonit me një qasje jo të zakonshme nga trajneri Pep Guardiola, i cili ka vendosur të menaxhojë ndryshe ngarkesën fizike të skuadrës për shkak të kalendarit të ngjeshur.
Pas kualifikimit në gjysmëfinalen e FA Cup ndaj Southampton-it, trajneri katalanas u ka dhënë lojtarëve disa ditë pushim, duke pezulluar përkohësisht stërvitjet. Sipas tij, rikuperimi është çelësi i performancës në këtë fazë të sezonit.
“Sa më shumë ditë pushim të kenë, aq më mirë luan skuadra”, është shprehur Guardiola, duke theksuar filozofinë e tij të re mbi menaxhimin e energjisë së lojtarëve.
Ai ka sqaruar gjithashtu se futbollistët janë plotësisht të lirë gjatë kësaj periudhe, madje mund të udhëtojnë, me kusht që të rikthehen në grumbullim deri të mërkurën pasdite. City do të rikthehet në fushë të hënën e ardhshme në Premier League ndaj Evertonit.
Guardiola ka pranuar se ka ndryshuar qasjen e tij me kalimin e viteve, duke u larguar nga stërvitjet e tepërta: “Në fillim stërviteshim shumë, por tani është më e rëndësishme freskia. Është më mirë të jesh i qetë dhe të kesh kohë cilësore”.
Në kampionat, gara për titull mbetet e hapur, me Arsenalin dhe Manchester City-n të barabartë me pikë, ndërsa “qytetarët” kanë një ndeshje më pak, detaj që mund të jetë vendimtar në garën e ngushtë për trofeun.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: