Organizimi i FIFA World Cup 2026 po shoqërohet me një debat të fortë në Shtetet e Bashkuara lidhur me kostot e larta të transportit për tifozët.
Guvernatorja e New Jersey-t, Mikie Sherrill, ka akuzuar FIFA se nuk po merr përgjegjësi për shpenzimet e transportit drejt ndeshjeve, duke kërkuar që institucioni qeverisës i futbollit botëror të mbulojë kostot e udhëtimit për tifozët.
Polemika ka shpërthyer pasi u raportua se kompania e trenave New Jersey Transit planifikon të aplikojë tarifa speciale për udhëtimin rreth 30-minutësh mes Penn Station në Nju Jork dhe ‘MetLife Stadium’. Një biletë vajtje-ardhje mund të kushtojë mbi 85 euro, rreth shtatë herë më shumë se tarifa normale prej 11 eurosh, pa ulje për fëmijë apo të moshuar.
‘Stadiumi MetLife’, i cili gjatë turneut do të quhet “New York/New Jersey Stadium” sipas rregullave të FIFA-s për emërtimet komerciale, do të presë tetë ndeshje, përfshirë edhe finalen e turneut më 19 korrik.
Në një reagim në rrjetet sociale, Sherrill theksoi se taksapaguesit nuk duhet të mbajnë barrën financiare të këtij organizimi, ndërsa FIFA përfiton miliarda nga turneu. Ajo deklaroi se marrëveshjet e mëparshme kërkonin transport falas, por janë ndryshuar në vitin 2023 për të lehtësuar presionin financiar mbi qytetet pritëse.
Nga ana e saj, FIFA u shpreh e habitur nga deklaratat, duke theksuar se nuk ka precedentë ku organizatorët e eventeve të mëdha sportive apo koncertesh të kenë mbuluar kostot e transportit publik për tifozët.
Debati nuk kufizohet vetëm në New Jersey. Edhe në Foxborough pranë Bostonit, çmimet e transportit për ndeshjet në ‘Gillette Stadium’ kanë shënuar rritje të ndjeshme, duke arritur deri në 80 dollarë për tren dhe 95 dollarë për autobus.
Përveç transportit, edhe parkimi pranë stadiumeve ka kosto shumë të larta, duke shtuar më tej shqetësimet për aksesin e tifozëve në një nga turnetë më të mëdhenj sportive në botë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: