Lionel Messi ka bërë zyrtare përmes një komunikate se është bërë pronari i ri i klubit katalanas UE Cornellà, që garon në nivelin e pestë të futbollit spanjoll.
‘Ylli’ argjentinas, fitues i tetë “Topave të Artë”, ka finalizuar blerjen e klubit duke forcuar kështu lidhjen e tij me Katalunjën dhe me futbollin spanjoll, ku ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës me Barcelona. Ky hap shihet gjithashtu si një investim i tij në zhvillimin e sportit dhe talenteve lokale në rajon.
UE Cornellà është një nga klubet me traditë të gjatë në futbollin katalanas dhe spanjoll, i njohur veçanërisht për punën e tij në formimin e lojtarëve të rinj. Nga akademia e këtij klubi kanë dalë emra të njohur si David Raya, Jordi Alba dhe Gerard Martín.
Ardhja e Messit shënon një kapitull të ri për klubin, me synimin për të rritur nivelin sportiv dhe institucional, për të forcuar strukturën e tij dhe për të vazhduar investimin në zhvillimin e talenteve të reja. Sipas medias spanjolle, projekti i ri parashikon një strategji afatgjatë të bazuar në ambicie, qëndrueshmëri dhe lidhje të fortë me komunitetin lokal.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: