Florentino beson te përmbysja: Për këtë kemi ardhur në Mynih

Florentino beson te përmbysja: Për këtë kemi ardhur në Mynih

16:53, 15/04/2026

Presidenti i Real Madridit, Florentino Pérez, ka dërguar një mesazh të fortë besimi përpara sfidës vendimtare ndaj Bayern Munich, duke theksuar se skuadra madrilene është në Gjermani për të arritur përmbysjen.

Në mbërritjen e tij në drekën zyrtare mes drejtuesve të dy klubeve në Munich, Perez u shfaq i qetë dhe optimist. I pyetur për mundësinë e rikthimit të rezultatit, ai u përgjigj shkurt, por me bindje: “Për këtë kemi ardhur”.

Në kampin madrilen mbizotëron një atmosferë besimi të plotë, duke nisur nga lojtarët e deri te stafi teknik dhe drejtuesit. Trajneri Álvaro Arbeloa ka përsëritur vazhdimisht ditët e fundit se “nëse ka një skuadër që mund të fitojë në Mynih, ajo është Reali”, një mesazh që duket se ka prekur gjithë ambientin.

Edhe ‘ylli’ francez Kylian Mbappé është bashkuar me këtë frymë optimizmi, duke postuar në rrjetet sociale një mesazh të thjeshtë: “Gati”. Ndërkohë, mbi 3,000 tifozë madrilenë pritet të jenë në stadium për të mbështetur skuadrën në këtë sfidë jetike.

Nga ana tjetër, edhe Jude Bellingham ka theksuar rëndësinë e përballjes, duke e cilësuar atë si një “finale” dhe duke bërë të qartë se objektivi i vetëm është kualifikimi në gjysmëfinale të UEFA Champions League.

Në kampin e Bayern-it, megjithëse me avantazhin e ndeshjes së parë dhe faktorin fushë, mbizotëron kujdesi. Drejtori ekzekutiv i klubit gjerman, Jan-Christian Dreesen, theksoi se një epërsi minimale nuk garanton asgjë përballë një rivali si Reali.

“Reali ka më shumë presion, por edhe ne duhet të bëjmë maksimumin për të fituar. Lojtarët janë të përqendruar dhe nuk do të kënaqen me rezultatin e parë”, u shpreh ai, duke shtuar se mbështetja e tifozëve në Allianz Arena do të jetë vendimtare.

Dreesen gjithashtu pranoi peshën e historisë, duke kujtuar se Bayern nuk ka fituar në shtëpi ndaj Realit në katër përballjet e fundit. “Historia ka rëndësi dhe ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm”, përfundoi ai.

Sfida në Mynih pritet me shumë interes, me Realin që synon një tjetër mbrëmje magjike evropiane.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco