Prej më shumë se një dekade e gjysmë në krye të Atlético Madridit, Diego Simeone ka dëshmuar se nuk është vetëm një trajner elitar, por edhe një investitor i jashtëzakonshëm.
Që nga 23 dhjetori 2011, tekniku argjentinas ka ndërtuar një epokë të artë te klubi madrilen, duke u shndërruar në një nga trajnerët më të suksesshëm në Europë.
Por paralelisht me sukseset në fushë, ai ka zhvilluar edhe një “ndeshje” tjetër, atë të investimeve në pasuri të paluajtshme.
Simeone, së bashku me bashkëshorten e tij Carla Pereyra, ka krijuar një portofol të jashtëzakonshëm pronash në Madrid. Raportohet se çifti zotëron rreth 180 apartamente dhe 7 vila luksoze, duke u kthyer në një nga çiftet më të fuqishme financiarisht në botën e futbollit dhe showbiz-it.
Këto investime nuk janë thjesht për prestigj, por përbëjnë një burim të madh të ardhurash përmes qirave dhe shitjeve, duke garantuar një të ardhme të sigurt për familjen e tyre.
Fëmijët e Simeones – nga martesa aktuale dhe ajo e mëparshme – pritet të trashëgojnë një pasuri marramendëse.
Rezidenca kryesore e familjes është një luks i vërtetë: një kompleks që i ngjan një pallati, me fushë futbolli private, pishinë olimpike, ambiente të shumta banimi dhe garazhe për koleksionin e makinave.
Në fund, pyetja mbetet: a është Diego Simeone më i madh si trajner apo si biznesmen? Duke parë suksesin në të dy fushat, përgjigjja duket se është… të dyja.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: