Tek Juventusi po shtohet shqetësimi për gjendjen fizike të talentit turk, Kenan Yildiz. Numri 10 bardhezi nuk është stërvitur me grupin në seancën e fundit në Continassa, por ka zhvilluar një program të diferencuar për shkak të një inflamacioni në gjurin e majtë.
Pas një paraqitjeje jo në nivel ndaj Atalanta, ku u zëvendësua herët, gjendja e tij ka ngritur dyshime. Problemi në gju nuk është i ri, pasi lojtari ka disa javë që po përballet me këtë shqetësim, i cili ishte shfaqur edhe para sfidës së fundit.
Megjithatë, pavarësisht dhimbjes, Yildiz kishte zbritur në fushë si titullar, por vazhdimi i shqetësimit ka bërë që stafi mjekësor i klubit të ndërhyjë me kujdes, duke i dhënë një pushim të kontrolluar për të shmangur përkeqësimin.
Trajneri Luciano Spalletti dhe stafi i tij do të monitorojnë nga afër gjendjen e lojtarit ditë pas dite. Objektivi është rikuperimi i plotë i tij për ndeshjet e ardhshme, duke qenë se Juventusi do të luajë gjashtë javë vendimtare në kampionat, ku prania e Yildiz konsiderohet thelbësore.
Klubi bardhezi nuk dëshiron të rrezikojë me një rikthim të parakohshëm, që mund të sjellë pasoja më serioze në këtë fazë vendimtare të sezonit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: