Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, ka ndezur debat të madh me idetë e tij radikale për ndryshimin e futbollit modern. Në një intervistë për “The Athletic”, ai theksoi se loja duhet të përshtatet me brezat e rinj për të mos humbur shikueshmërinë.
Sipas tij, ritmi aktual i ndeshjeve është shumë i ngadaltë dhe i gjatë për publikun e ri: “Vit pas viti, futbolli do të humbasë brezat e rinj. Ndeshjet janë shumë të gjata dhe pauzat po ashtu. Brezat e rinj nuk kanë durimin për të parë një ndeshje të tillë në TV.”
De Laurentiis kritikoi edhe pushimin mes pjesëve, duke e quajtur të panevojshëm: “Imagjinoni budallallëkun. Nipi im gjashtëvjeçar largohet dhe nuk kthehet më pas 15 minutash, sepse shkon të luajë FIFA.”
Ideja e tij më e fortë është ndryshimi i strukturës së ndeshjes: nga dy pjesë me 45 minuta në dy pjesë me nga 25 minuta, por me kohë efektive, të ngjashme me sporte si basketbolli.
Sipas tij, kjo do të rriste intensitetin dhe do të eliminonte vonesat e panevojshme në lojë.
Po ashtu, ai propozon një sistem krejt të ri disiplinor, duke hequr kartonët e verdhë dhe të kuq.
Në vend të tyre, lojtarët do të ndëshkoheshin me përjashtime të përkohshme nga loja:
5 minuta jashtë për faulle më të lehta
20 minuta jashtë për shkelje të rënda
“Një lojtar nuk mund të qëndrojë në fushë dhe të bëjë aktorin. Në këtë mënyrë, dëmtohet menjëherë skuadra gjatë ndeshjes,” shtoi ai.
Një tjetër problem që ai ngriti është mungesa e golave dhe spektaklit në futbollin modern.
Sipas De Laurentiis, për të rritur numrin e golave, duhet të ndryshohen rregullat e lojës.
Deklaratat e tij pritet të hapin debat të gjerë në botën e futbollit, pasi ndryshime të tilla do të preknin thelbin e FIFA dhe UEFA, duke transformuar një nga sportet më të ndjekura në botë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: