Edhe ditën e ndeshjes kthehej nga disko në orën 6/ Ronaldinho rrëfen jetën mes magjisë dhe kaosit

Edhe ditën e ndeshjes kthehej nga disko në orën 6/ Ronaldinho rrëfen jetën mes magjisë dhe kaosit

09:18, 14/04/2026

Legjenda braziliane Ronaldinho rikthehet në qendër të vëmendjes përmes një miniserie dokumentare të publikuar nga Netflix, ku zbulohet jo vetëm talenti i tij i jashtëzakonshëm në fushë, por edhe një jetë e trazuar jashtë saj.

Dokumentari “Ronaldinho Gaúcho: el único e inigualable” pritet të publikohet më 16 prill dhe sjell histori të panjohura nga karriera e ikonës braziliane, duke ndriçuar si sukseset, ashtu edhe momentet më të errëta të tij.

Në këtë projekt, Ronaldinho rrëfen me sinqeritet për dashurinë ndaj futbollit dhe mënyrën unike si e përjetonte lojën: “Isha shumë i lumtur duke luajtur dhe njerëzit thoshin se ishin të lumtur duke më parë mua të luaja”.

Ndikimi i tij ka qenë i jashtëzakonshëm edhe te yjet e brezave pasardhës. Lionel Messi ka pranuar hapur rolin e brazilianit në formimin e tij, duke thënë: “Ndoshta ai ishte më i rëndësishëm për mua sesa unë për të”.

Edhe vetë Ronaldinho nuk e ka fshehur kurrë vetëbesimin karakteristik: “E sheh gjithë këtë që quhet botë? Unë jam më i miri në të”.

Ndërsa Neymar e përshkruan ndikimin e tij me fjalët: “Ai bëri që bota të dashurohej me të”.

Megjithatë, dokumentari nxjerr në pah edhe anën tjetër të medaljes.

Jeta e natës dhe festat shpesh ndikuan negativisht në karrierën e tij.

Ish-trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Fernández, zbulon një episod të bujshëm: “Në një ndeshje që duhej të luante, ai mbërriti në orën 6-7 të mëngjesit për të fjetur”.

Një nga momentet më të vështira të jetës së tij ishte arrestimi në Paraguay për përdorim dokumentesh false – një ngjarje që tronditi botën e sportit dhe që vetë Ronaldinho e konsideron si periudhën më të errët të jetës së tij.

Në dokumentar marrin pjesë edhe emra të mëdhenj si Ronaldo Nazário, Roberto Carlos dhe Carles Puyol, duke ndërtuar një pasqyrë të plotë të jetës dhe karrierës së një prej futbollistëve më karizmatikë dhe të paharrueshëm në historinë e futbollit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco