Fitorja 1-0 e Vllaznia ndaj Teuta në stadiumin Loro Boriçi është shoqëruar me incidente të rënda pas përfundimit të sfidës, duke lënë në hije rezultatin sportiv.
Sipas raportimeve dhe pamjeve që po qarkullojnë në media, pas ndeshjes janë regjistruar përplasje mes tifozëve të të dy skuadrave, ndërsa situata ka dalë jashtë kontrollit në disa momente. Tensioni, i pranishëm që para fillimit të takimit dhe gjatë lojës, ka vijuar edhe pas vërshëllimës përfundimtare.
Pamjet e publikuara tregojnë edhe ndërhyrjen e forcave të policisë së Shkodrës, të cilat janë përfshirë në përplasje me tifozët e ardhur nga Durrësi. Në disa raste, efektivët shihen duke përdorur forcë ndaj mbështetësve, çka ka nxitur reagime dhe polemika.
Si pasojë e incidenteve, disa tifozë të Teutës janë shoqëruar në komisariat, ndërsa pritet që autoritetet të sqarojnë plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse Komisioni i Disiplinës do të marrë masa për këtë episod, i cili ka rikthyer në vëmendje problemet e sigurisë në stadiumet shqiptare.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: