Trajneri i Atlético Madridit, Diego Simeone, ka dalë para medieve në prag të ndeshjes së kthimit të çerekfinaleve të UEFA Champions League ndaj Barcelonës, duke shfaqur besimin e zakonshëm për një sfidë kaq të rëndësishme.
Në vigjilje të përballjes, tekniku argjentinas theksoi se objektivi është i qartë: kalimi në gjysmëfinale. Duke folur për avantazhin e fushës, Simeone u tregua realist: “Gjithçka që imagjinojmë para ndeshjes mund të mbetet thjesht imagjinatë. Pastaj loja fillon dhe gjithçka që kemi menduar mund të ndryshojë”.
Megjithatë, ai nënvizoi idenë kryesore: “Në ndeshjen e kaluar patëm qarkullim të mirë të topit dhe luajtëm më shumë në gjysmëfushën kundërshtare sesa pritej. Prandaj duhet besim dhe siguri në atë që duam, që është kualifikimi”.
I pyetur për aktivizimin e portierit Jan Oblak, i cili ka munguar për shkak dëmtimi, Simeone nuk dha një përgjigje të prerë: “Ende nuk ua kam komunikuar formacionin lojtarëve. Do ta bëj nesër rreth orës 19:00, kur të jemi në hotel. Deri atëherë kemi kohë për të vendosur”.
Simeone u shpreh i bindur për strategjinë e skuadrës: “E dimë çfarë na duhet dhe çfarë do të kërkojmë në fushë. Objektivi ynë është të kalojmë dhe do të luajmë për ta arritur këtë”. Ai shtoi se qasja do të jetë e ngjashme me ndeshjet e mëparshme: “E dimë që kemi përballë një kundërshtar shumë të fortë, por e dimë edhe qëllimin tonë”.
Trajneri i “Los Colchoneros” minimizoi gjithashtu çdo diskutim mbi arbitrat: “Po mendoj vetëm për ekipin tim, jo për arbitrat. Ata kanë tashmë një presion shumë të madh”.
Atlético Madridi vjen në këtë sfidë me një avantazh të rëndësishëm prej dy golash, pas fitores 2-0 në ndeshjen e parë të zhvilluar në ‘Camp Nou’. Në fund, Simeone u ndal edhe te rekordi pozitiv në ndeshjet me eliminim direkt në shtëpi, duke u shprehur shkurt: “Është pjesë e futbollit”, ndërsa për menaxhimin e avantazhit përfundoi: “Si gjithmonë kur luajmë në shtëpi që prej ardhjes sime në klub”.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: