Barcelona ka regjistruar një fitore bindëse 4-1 ndaj rivalëve lokalë Espanyol në La Liga, por derbi katalanas nuk kaloi pa tensione dhe polemika.
Pas fishkëllimës së fundit, situata u tensionua mes lojtarëve të dy skuadrave.
Futbollistët e Espanyolit shprehën hapur pakënaqësinë për sjelljen e kundërshtarëve, duke lënë të kuptohet se mungoi respekti sportiv si gjatë lojës, ashtu edhe pas saj.
Njëri nga më kritikët ishte mesfushori Pol Lozano, i cili nuk i kurseu komentet ndaj kampionëve.
Në një deklaratë për DAZN, ai u shpreh i irrituar: “Nuk ia vlen të flasim për këtë, është gjithmonë e njëjta histori. Të gjithë e panë nivelin e respektit që treguan ndaj profesionistëve të tjerë”.
Megjithatë, më vonë Lozano u përpoq të ulë tonin, duke theksuar se incidentet ishin rezultat i emocioneve të forta të derbit dhe zhgënjimit për humbjen e thellë.
Nga ana tjetër, trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, shmangu polemikat dhe u fokusua tek objektivat evropiane.
Ai deklaroi se skuadra nuk ka nevojë për “mrekulli”, por për një paraqitje perfekte në ndeshjen e kthimit në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve ndaj Atlético Madrid, ku katalanasit duhet të përmbysin disavantazhin 2-0.
Optimist për këtë sfidë është edhe mesfushori Fermín López, i cili beson te rikthimi: “Tifozët janë me ne, ata besojnë. Shpresojmë ta realizojmë këtë përmbysje”.
Barcelona tashmë do të përqendrohet te sfida vendimtare në “Metropolitano”, ku do të kërkojë një përmbysje që mund të shpëtojë sezonin evropian.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: