Pas rreth tre muajsh mungesë për shkak dëmtimi, Marash Kumbulla është rikthyer më në fund në fushën e lojës. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare u aktivizua në minutën e 71-të në fitoren e thellë të Mallorca-s ndaj Rayo Vallecano-s, duke shënuar kështu kthimin e shumëpritur në LaLiga.
Kumbulla kishte qenë në stol edhe në ndeshjen e një jave më parë, në suksesin e madh ndaj Real Madridit, sfidë ku protagonist ishte Vedat Muriqi me golin e fitores. Rikthimi i mbrojtësit shqiptar përforcon edhe më shumë repartin difensiv të skuadrës ishullore në këtë fazë vendimtare të sezonit.
Mbrojtësi kishte luajtur për herë të fundit në LaLiga më 17 janar, në fitoren 3-2 ndaj Athletic Bilbaos, përpara se të pësonte dëmtimin që e mbajti gjatë jashtë fushave.
Mungesa e tij u ndje edhe në Kombëtaren shqiptare, pasi Kumbulla humbi ndeshjet e fazës “play-off”, ku Shqipëria u eliminua nga Polonia me rezultatin 2-1 në gjysmëfinale, ndërsa më pas u mposht 1-0 edhe në miqësoren ndaj Ukraina.
Kumbulla, i cili më parë ka qenë pjesë e klubeve si Roma dhe Verona, konsiderohet një nga mbrojtësit më premtues shqiptarë të viteve të fundit. Rikthimi i tij në formë është një lajm shumë pozitiv jo vetëm për Mallorca-n, por edhe për Kombëtaren, që do të ketë nevojë për stabilitet në repartin e mbrojtjes në ndeshjet e ardhshme.
Aktivizimi i tij pas një periudhe të gjatë dëmtimi tregon se ai është drejt rikuperimit të plotë dhe pritet të marrë gjithnjë e më shumë minuta në vazhdim të sezonit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: