‘Ylli’ i ri i sprintit Gout Gout ka bërë histori në Australian Athletics Championships, duke fituar garën e 200 metrave me kohën e jashtëzakonshme 19.67 sekonda dhe duke thyer rekordin botëror për moshat nën 20 vjeç.
Gara u zhvillua në ‘Sydney Olympic Park Athletic Centre’, ku 18-vjeçari australian u bë gjithashtu atleti i parë nga vendi i tij që zbret nën kufirin e 20 sekondave në kushte të rregullta. Ky rezultat e bën atë edhe më të shpejtë se legjenda Usain Bolt në të njëjtën moshë, pasi xhamajkani kishte regjistruar kohën 19.93 sekonda.
Në vendin e dytë u rendit bashkëkombësi Aidan Murphy me 19.88 sekonda, duke bërë që për herë të parë dy australianë të zbresin nën 20 sekonda në të njëjtën garë, një arritje historike për atletikën e vendit.
“Për këtë kam pritur,” deklaroi Gout pas garës. “Në Australi kemi atletë të jashtëzakonshëm dhe duke garuar me njëri-tjetrin, shtyjmë kufijtë tanë.”
Koha e tij u arrit me një erë ndihmëse të lejuar (+1.7 m/s), duke i mundësuar jo vetëm mbrojtjen e titullit në 200 metra, por edhe thyerjen e rekordit të mëparshëm botëror U-20, që mbahej nga Erriyon Knighton. Ai përmirësoi gjithashtu rekordin e tij kombëtar prej 20.02 sekondash.
Ky ishte rasti i parë që Gout zbriti nën 20 sekonda në kushte plotësisht të rregullta, pasi vitin e kaluar kishte regjistruar 19.84 sekonda me ndihmën e erës. Talenti australian kishte shpërthyer në skenë në vitin 2024, kur theu rekordin kombëtar të Peter Norman (20.06 sekonda) me një kohë 20.04, duke u bërë më i shpejti ndonjëherë në moshën 16-vjeçare.
Vrapimi i tij erdhi në ditën e fundit të garës, ndërsa rivali kryesor, Lachlan Kennedy, u tërhoq nga gara e 200 metrave për arsye paraprake, megjithëse kishte fituar më herët garën e 100 metrave me kohën 9.96 sekonda.
Djali i emigrantëve nga Sudani i Jugut, Gout Gout po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen globale me stilin e tij të vrapimit dhe shpërthimin e shpejtë në elitën e atletikës, duke u krahasuar shpesh me Bolt dhe duke u konsideruar si një nga talentet më premtues të sprintit botëror.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: