Genoa mposht Sassuolon dhe ‘siguron’ mbijetesën, Ekuban vendos në fund

Genoa mposht Sassuolon dhe ‘siguron’ mbijetesën, Ekuban vendos në fund

16:09, 12/04/2026

Në javën e 32-të të Serisë A, Genoa arriti një fitore shumë të rëndësishme 2-1 ndaj Sassuolos, duke hedhur një hap vendimtar drejt mbijetesës në elitën e futbollit italian.

Skuadra vendase kaloi në avantazh që në minutën e 18-të falë një supergoli nga Ruslan Malinovskyi, i cili realizoi me të majtën një goditje precize pranë shtyllës, duke mos i lënë asnjë shans portierit kundërshtar.

Megjithatë, momenti më i pazakontë i sfidës ndodhi në fund të pjesës së parë. Teksa lojtarët po drejtoheshin drejt dhomave të zhveshjes në stadiumin ‘Luigi Ferraris’, shpërtheu një përplasje mes Mikael Ellertsson dhe Domenico Berardit, të cilët u ndëshkuan me karton të kuq, duke lënë të dyja skuadrat me nga një lojtar më pak për pjesën e dytë.

Në fraksionin e dytë, pas ndryshimeve të trajnerit Daniele De Rossi, Manu Koné barazoi në minutën e 57-të, duke përfituar nga një top i kthyer pas pritjes së portierit Bijlow ndaj goditjes me kokë të Muharemovic.

Kur gjithçka dukej se do të mbyllej në barazim, erdhi momenti vendimtar në minutën e 84-t. Junior Messias depërtoi nga krahu i djathtë dhe dha një asist perfekt për Caleb Ekuban, i cili nga afër nuk gaboi, duke shënuar golin e fitores.

Me këtë sukses, Genoa ngjitet në kuotën e 36 pikëve, duke u shkëputur me +9 nga zona e rënies dhe duke “blinduar” praktikisht mbijetesën. Në anën tjetër, Sassuolo mbetet me 42 pikë dhe humbet një mundësi për t’u afruar më shumë me zonën e mesit të tabelës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco