Sulmuesi i ri italian, Francesco Pio Esposito, ka folur hapur për momentin e vështirë të përjetuar në ndeshjen mes Bosnje Herzegovinës dhe Italsë.
“E përballova me vështirësi zhgënjimin. Nuk mund ta kuptoja çfarë kishte ndodhur; isha i shokuar”, u shpreh ai, duke iu referuar eliminimit të Italisë dhe penalltisë së humbur në Zenicë.
Esposito pranoi se ndjeu përgjegjësi të madhe pas gabimit nga pika e bardhë: “Mendimi im i parë ishte se i zhgënjeva të gjithë – shokët e ekipit, familjen dhe miqtë. Por kjo është pjesë e futbollit. Do të gjuaj sërish penallti: disa do t’i shënoj, disa do t’i humbas”.
Ai zbuloi gjithashtu se ishte vetë që kërkoi të merrte përsipër penalltinë e parë, duke ia komunikuar këtë trajnerit Gennaro Gattuso: “Atë ditë ndihesha i sigurt dhe i bindur se duhej ta merrja unë përgjegjësinë. Fatkeqësisht, gjërat nuk shkuan siç doja”.
Pavarësisht zhgënjimit me kombëtaren, 19-vjeçari po kalon një sezon pozitiv me Interin, ku ka kontribuar me gola dhe asistime.
Megjithatë, ai mbetet kritik ndaj vetes dhe kërkon të përmirësohet vazhdimisht.
Në fund, Esposito hodhi poshtë edhe zërat për vlerën e tij të lartë në treg: “Nuk kam thënë kurrë se jam fenomen apo se vlej 100 milionë euro. Jam thjesht një lojtar që punon fort çdo ditë dhe përpiqet të japë maksimumin”.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: