Ish-sulmuesi italian, Fabrizio Miccoli, ka rrëfyer disa nga momentet më të vështira të karrierës dhe jetës së tij në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, duke përfshirë edhe periudhën e tij te Juventusi.
46-vjeçari kujtoi me zhgënjim një episod nga fillimet e tij në Torino, kur u ndje i braktisur nga klubi: “U ktheva nga huazimi te Fiorentina dhe ekipi u prit në Bashki pasi fitoi titullin. Unë mbeta vetëm në autobus, duke pritur. Ishte një situatë poshtëruese. Më pas më shitën te Benfica”.
Miccoli pranoi se periudha më e bukur e karrierës së tij ishte te Palermo, ku u shndërrua në një ikonë për tifozët dhe një nga lojtarët më të dashur të klubit.
Megjithatë, jeta e tij mori një kthesë të errët pas përfshirjes në një çështje ligjore serioze, që çoi në një dënim me tre vite e gjashtë muaj burg për zhvatje të rënduar me metoda mafioze. Ai kaloi edhe gjashtë muajt e parë të dënimit në burg, një përvojë që e përshkroi si të vështirë, por edhe domethënëse.
“Brenda më pritën mirë, nuk më përfshinë kurrë në problemet e tyre. Bënin shaka: ‘Këtu luftojmë për dy gjëra: letrat dhe futbollin’. E kuptova menjëherë. Luaja si portier dhe, kur dilja në sulm, nuk isha ndonjë sensacion”, tregoi ai me sinqeritet.
Sot, Miccoli po përpiqet të lërë pas të kaluarën dhe të ndërtojë një kapitull të ri në jetën e tij, duke reflektuar mbi gabimet dhe duke kërkuar një rilindje personale.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: