Një çështje e nxehtë është hapur te Napoli, ku protagonist është Romelu Lukaku. Sulmuesi belg ka njoftuar klubin se nuk do të paraqitet në dy seancat e fundit stërvitore të javës në Castel Volturno, duke zgjedhur të qëndrojë në Belgjikë pranë familjes së tij.
Vendimi i Lukakut nuk është pritur mirë nga drejtuesit e Napolit, të cilët kishin kërkuar rikthimin e tij për të ndjekur nga afër fazën e rikuperimit pas një problemi fizik të shfaqur javët e fundit. Megjithatë, lojtari ka vendosur të menaxhojë vetë situatën, duke menduar jo vetëm për fundin e sezonit, por edhe për përgatitjen për Botërorin me Belgjikën.
Sipas stafit të përfaqësueses belge, kjo është një zgjedhje e mirëmenduar nga ana e sulmuesit. “Lukaku ka vlerësuar me kujdes çfarë është më e mira për pjesën e mbetur të sezonit. Nuk ka probleme serioze shëndetësore, por bëhet fjalë për mënyrën më të mirë të përgatitjes për muajt e fundit dhe për Botërorin,” u shpreh drejtori teknik i Belgjikës.
Megjithatë, nga ana e klubit italian ka pakënaqësi të dukshme. Edhe pse zyrtarisht Napoli nuk ka reaguar, në prapaskenë drejtuesit i kanë kërkuar lojtarit të rikthehet sa më shpejt në Itali.
Situata mbetet e tensionuar dhe rasti mund të zhvillohet më tej në ditët në vijim, në një moment delikat të sezonit ku Napoli është ende në garë për objektiva të rëndësishëm.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: