Legjenda gjermane, Toni Kroos, ka ndarë disa kujtime të veçanta nga periudha e tij te Real Madridi, gjatë një takimi me studentët e Shkollës Universitare Real Madrid në kuadër të “Semana Blanca”.
Mesfushori, i cili fitoi plot 23 trofe me klubin madrilen, përfshirë pesë tituj të UEFA Champions League, tregoi për nivelin e jashtëzakonshëm të kërkesës brenda klubit.
“Fitonim Champions-in dhe të nesërmen presidenti Florentino Pérez të thoshte: ‘Shumë mirë, shihemi vitin tjetër këtu, me të njëjtën kupë’. Mund të duket si diçka e vogël, por nuk të lejon të relaksohesh. Te Real Madridi mendon gjithmonë vetëm për Champions-in”, u shpreh Kroos.
Ai foli edhe për vendimin e tij për t’u tërhequr nga futbolli: “U tërhoqa sepse nuk doja të arrija momentin kur nuk do të ndihesha më mirë fizikisht. Doja të largohesha në kulm, ashtu siç e meriton klubi dhe siç dua të më kujtojnë tifozët”.
Kroos kujtoi gjithashtu sukseset e mëdha nën drejtimin e Zinedine Zidane, me tre Champions radhazi mes viteve 2016 dhe 2018: “Ishim një ekip i vërtetë. Kishim shumë lojtarë të mëdhenj, por të gjithë donim të njëjtën gjë: fitoren”.
Një rol të rëndësishëm, sipas tij, ka luajtur edhe stadiumi legjendar ‘Santiago Bernabéu’: “Ka një forcë të veçantë. Mjafton një moment për të ndryshuar gjithçka dhe kundërshtarët ndihen në vështirësi”.
Në fund, Kroos vlerësoi edhe anën njerëzore të klubit: “Real Madrid është një klub shumë familjar. Florentino Pérez përcjell diçka shumë njerëzore dhe kjo ndihet në çdo moment”.
Ish-mesfushori komentoi edhe suksesin e fundit të madrilenëve ndaj Manchester City, duke theksuar se skuadra di të rrisë nivelin në ndeshjet më të rëndësishme.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: