Rasti i Federico Chiesa-s ka kthyer vëmendjen te kombëtarja italiane, pas vendimit të papritur për t’u larguar nga grumbullimi në prag të ndeshjes vendimtare ndaj Irlandës së Veriut. Edhe pse u paraqit në Coverciano për t’iu përgjigjur ftesës së Italisë, sulmuesi i Liverpoolit u rikthye në shtëpi me dakordësinë e stafit mjekësor dhe trajnerit.
Trajneri i Italisë, Gennaro Gattuso, dha një shpjegim të pjesshëm për situatën, duke lënë të kuptohet se problemi nuk lidhet vetëm me gjendjen fizike. “Jo të gjithë lojtarët janë njësoj nga ana mendore. Nëse një lojtar është i pasigurt, duhet të bëjmë zgjedhje. Mund të përpiqesh ta bindësh, por nëse nuk është mirë, nuk ka kuptim të këmbëngulësh”, u shpreh ai.
Rikthimi i Chiesa-s në kombëtare pritej me interes, pasi ndeshja e fundit e tij me Italinë daton që nga qershori i vitit 2024, në humbjen ndaj Zvicrës në Europian. Pas atij turneu, karriera e tij ka kaluar momente të vështira: fillimisht jashtë planeve te Juventusi dhe më pas me pak hapësira te Liverpooli, ku vazhdon të luftojë për të fituar më shumë minuta.
Megjithatë, Gattuso kishte besim te cilësitë dhe përvoja e tij, duke e konsideruar një element të rëndësishëm për skuadrën në këtë moment delikat. Ftesa e fundit tregonte se dera e kombëtares nuk ishte mbyllur për sulmuesin, por zhvillimet e fundit krijojnë paqartësi për të ardhmen e tij me “axurrët”.
Fakti që Chiesa pranoi ftesën, por më pas u tërhoq, lë të kuptohet se bëhet fjalë për çështje më të thella, ndoshta edhe të natyrës psikologjike. Për momentin, vetë lojtari nuk ka dhënë një shpjegim të plotë.
Ndërkohë, Italia mbetet e fokusuar te sfida ndaj Irlandës së Veriut, një ndeshje që mund të jetë hapi i parë drejt rikthimit në Kupën e Botës. Nga ana tjetër, Chiesa do ta ndjekë nga shtëpia, me shpresën se kjo histori nuk është kapitulli i fundit i tij me përfaqësuesen italiane.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: