Te Milani ka nisur puna për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ardhshëm, me objektivin e qartë për t’u rikthyer në Champions League.
Ditët e fundit është zhvilluar një takim mes trajnerit Massimiliano Allegri dhe drejtuesve kuqezi, ku është diskutuar strategjia për merkaton e verës.
Një nga çështjet kryesore mbetet varësia nga Adrien Rabiot. Statistikat tregojnë qartë rëndësinë e tij: me francezin në fushë, skuadra ka një mesatare prej 2.38 pikësh për ndeshje, ndërsa pa të kjo shifër bie ndjeshëm.
Në organikë janë edhe alternativa si Ardon Jashari dhe Samuele Ricci, por të dy konsiderohen ende në fazë zhvillimi dhe jo në të njëjtin nivel me Rabiot.
Për këtë arsye, klubi është në kërkim të një mesfushori që mund të japë menjëherë kontribut dhe të rrisë konkurrencën në repart.
Në këtë drejtim, Allegri dhe drejtori sportiv Igli Tare kanë përzgjedhur një listë të ngushtë objektivash.
Një nga emrat më të përfolur është Leon Goretzka, i cili pritet të largohet nga Bayern Munich në fund të sezonit.
Mesfushori gjerman shihet si një opsion ideal, pasi mund të luajë krah Rabiot, por edhe ta zëvendësojë atë, duke garantuar rotacion cilësor mes kampionatit dhe kompeticioneve të tjera.
Drejtuesit kuqezi synojnë të ndërtojnë një mesfushë më të fortë dhe më të qëndrueshme, që të rikthejë skuadrën në nivelet më të larta të futbollit europian.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: