Lajme të këqija vijnë nga infermieria e Lecce-s për Medon Berishën. Mesfushori, i cili prej kohësh po rikuperohej nga një dëmtim muskulor i pësuar në dhjetor, ka pësuar një tjetër lëndim që praktikisht i jep fund sezonit të tij.
Sipas njoftimit zyrtar të klubit, gjatë seancës stërvitore të së shtunës së kaluar, Berisha ka pësuar një dëmtim në muskulin ‘rectus femoris’ të këmbës së djathtë. Ekzaminimet e kryera sot kanë zbuluar një dëmtim në tendinin refleks të këtij muskuli.
Ky dëmtim ka ndodhur në një zonë të ndryshme nga ajo e dëmtimit të mëparshëm dhe erdhi në një moment kur lojtari kishte nisur fazën e rikthimit gradual në formë, pas rezultateve pozitive në kontrollet e fundit.
Berisha do të udhëtojë të mërkurën në Finlandë për një konsultë me profesorin Lasse Lempainen, për të vlerësuar mundësinë e një ndërhyrjeje kirurgjikale, e cila mund të kryhet të enjten.
Në çdo rast, klubi ka konfirmuar se rikthimi i tij në fushë brenda këtij sezoni është i pamundur.
Kjo do të thotë se, edhe nëse Shqipëria arrin të bëjë mrekulline në play off, duke eliminuar Poloninë dhe fituesen e çiftit Ukrainë-Suedi, Medon Berisha nuk mund të japë kontribut në Botërorin e kësaj vere.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: