John Elkann ka dhënë një mesazh të fortë për të ardhmen e Juventusit, duke theksuar angazhimin e plotë për suksesin sportiv dhe financiar të klubit bardhezi. Në letrën drejtuar aksionarëve të Exor, ai ka nënvizuar besimin e palëkundur te projekti dhe zhvillimi i talenteve.
Një nga pikat kryesore është rinovimi i kontratës së talentit të ri, Kenan Yildiz, deri në vitin 2030, një sinjal i qartë për strategjinë afatgjatë të klubit. Elkann theksoi se familja e tij mbetet krenare për lidhjen mbi një shekull me Juventusin, duke garantuar vazhdimësi dhe stabilitet.
“Në fillim të vitit 2026, Juventusi zgjati kontratën e talentit Kenan Yildiz deri në vitin 2030, duke rikonfirmuar angazhimin tonë për zhvillimin e lojtarëve më premtues. Ky është një reflektim i besimit tonë të palëkundur te klubi. Exor mbetet një pronar krenar, duke vazhduar një lidhje mbi një shekull me familjen time”.
Ai pranoi se vitet e fundit kanë qenë të vështira për klubin, të ndikuara nga presione të ndryshme dhe çështje ligjore, por shtoi se janë ndërmarrë hapa konkretë për rikthimin në rrugën e duhur. Investimi prej afro 100 milionë eurosh dhe ndryshimet në drejtim kanë qenë kyçe për këtë rikuperim.
“Ne mbetemi plotësisht të angazhuar për të mbështetur suksesin sportiv dhe financiar të Juventus dhe besojmë se e ardhmja është e ndritur. Siç thoshte Omar Sivori: ‘Këtu duhet gjithmonë të luftosh dhe kur duket se gjithçka është humbur, duhet të vazhdosh të besosh, Juventusi nuk dorëzohet kurrë’”.
Në aspektin sportiv, Elkann vlerësoi ndikimin e trajnerit Luciano Spalletti, i cili ka sjellë energji të re dhe mentalitet fitues në skuadër. Ai përmendi gjithashtu suksesin e madh të ekipit të femrave, që fitoi kampionatin, Kupën e Italisë dhe Superkupën.
Sa u përket financave, Elkann deklaroi: “Në vitin 2025, të ardhurat u rritën me 34%, duke arritur në 530 milionë euro, ndërsa humbjet u ulën me 71%, në 58 milionë euro. Klubi po vazhdon rrugën drejt qëndrueshmërisë financiare, i ndihmuar edhe nga marrëveshjet me Adidas dhe Jeep”.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: