Klubi i Sevilla-s ka njoftuar zyrtarisht shkarkimin e trajnerit Matías Almeyda, pas një serie rezultatesh negative që e kanë zhytur skuadrën pranë zonës së rënies nga kategoria. Andaluzianët ndodhen në vendin e 16-të në La Liga, vetëm tri pikë mbi Mallorca, që mban vendin e parë në zonën e rrezikut.
Vendimi erdhi pas humbjes në shtëpi 0-2 ndaj Valencia, një ndeshje që rezultoi fatale për teknikun argjentinas. Në katër javët e fundit, skuadra kishte marrë vetëm dy pikë, duke përkeqësuar ndjeshëm situatën. Vetë Almeyda mori përgjegjësinë për rezultatet e dobëta dhe pranoi se largimi i tij ishte një mundësi për të ndryshuar kursin e ekipit.
Trajneri largohet pas 32 ndeshjesh në krye të Sevilla-s, ku 29 ishin në kampionat dhe tri në Kupën e Mbretit. Statistikat e skuadrës këtë sezon janë zhgënjyese: vetëm 10 fitore, 7 barazime dhe 15 humbje në të gjitha garat, ndërsa mbrojtja rezulton më e dobëta në kampionat me 49 gola të pësuar në 29 ndeshje.
Situata e krijuar ka shtyrë drejtuesit të kërkojnë një zgjidhje të shpejtë për nëntë javët e mbetura, me synimin për të shmangur rënien. Shkarkimi i Almeyda-s është na vazhdën e një serie ndryshimesh të shpeshta në pankinën e Sevila-s, që në katër vitet e fundit ka ndërruar disa trajnerë, duke reflektuar krizën e thellë që po kalon klubi spanjoll.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: