Trajneri i Italisë, Gennaro Gattuso, ka folur në prag të gjysmëfinales së play-off-it të Botërorit ndaj Irlandës së Veriut, duke theksuar se skuadra duhet të fokusohet vetëm te ndeshja dhe jo te mungesat.
“Nuk dua alibi, duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen e së enjtes,” deklaroi Gattuso në konferencën për shtypin në Coverciano. “Duhet të zgjedhim lojtarët që janë në gjendjen më të mirë dhe të zbresim në fushë. Kjo është ajo që ka rëndësi tani.”
Në lidhje me mungesën e Federico Chiesa-s, trajneri u shpreh i qartë: “Lojtarët nuk janë të gjithë njësoj. Ai kishte disa pasiguri, nuk ndihej gati dhe u kthye në shtëpi. Duhet ta pranoj. Kur një lojtar nuk është mirë, nuk duhet të këmbëngulësh. Nëse nuk është 100%, është e drejtë të largohet.”
Gattuso theksoi se skuadra ka punuar shumë dhe tani duhet të përqendrohet te objektivi: “Ky grup meriton një gëzim. Që nga dita e parë kam parë një përkushtim të madh. Duhet të kemi dëshirë, por edhe qartësi dhe të ‘ndiejmë rrezikun’. Respekti për kundërshtarin është thelbësor, sepse janë një skuadër e fortë dhe të rrezikshëm në goditjet standarde.”
Sa i përket gjendjes së lojtarëve, tekniku italian foli edhe për Alessandro Bastonin: “Duhet të punojë për t’u rikuperuar, shpresoj ta kemi së shpejti. Meritë për profesionalizmin e tij.” Ndërkohë, Gianluca Scamacca ka një problem në muskulin aduktor, Sandro Tonali do të stërvitet me ngarkesë të ulët, ndërsa Gianluca Mancini ka vetëm një lodhje të lehtë. Për Riccardo Calafiorin ka pasur një shqetësim të vogël, por pritet të jetë në dispozicion.
Italia kërkon të rikthehet në një Botëror pas mungesës në dy edicionet e fundit, ndërsa përballja ndaj Irlandës së Veriut shihet si një hap vendimtar drejt këtij objektivi.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: