Milani po lëviz në heshtje për të përforcuar repartin ofensiv, ndërsa drejtori sportiv Igli Tare ka zhvilluar një takim të rëndësishëm për një objektiv konkret.
Sipas raportimeve nga “Tuttosport”, Tare është takuar me Alessandro Moggi, pjesë e rrethit të sulmuesit Mateo Retegui, duke konfirmuar interesimin e kuqezinjve për transferimin e tij gjatë verës.
Sulmuesi i Italisë është rikthyer në radarët e Milanit, i cili është në kërkim të një “bomberi” për sezonin 2026-2027, sidomos duke parë se e ardhmja e Niclas Füllkrug në “San Siro” mbetet e pasigurt.
Retegui po kalon një sezon pozitiv, me 15 gola në 25 paraqitje, duke u shndërruar në një nga pikat kyçe të kombëtares italiane nën drejtimin e Gennaro Gattuso.
Megjithatë, pengesa kryesore për realizimin e marrëveshjes mbetet paga e tij aktuale prej 16 milionë eurosh në sezon.
Milani është i gatshëm të ofrojë rreth 5 milionë euro në vit deri në vitin 2031, çka nënkupton se lojtari duhet të bëjë një sakrificë të konsiderueshme financiare.
Ndërkohë, edhe kartoni i tij nuk është i lirë, pasi Al-Qadsiah kërkon rreth 45-50 milionë euro për ta lënë të lirë.
Retegui nuk është i vetmi emër në listë, pasi kuqezinjtë vazhdojnë të ndjekin edhe Moise Kean, duke treguar se merkatoja e verës pritet të jetë vendimtare për ndërtimin e “Djallit” të ri.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: