Talenti gjerman, Lennart Karl, ka hedhur një hap të madh në karrierën e tij, duke firmosur kontratën e parë profesionale me Bayern Munich, e vlefshme deri në qershor të vitit 2029. Lajmi është konfirmuar nga gazetari i njohur i merkatos, Fabrizio Romano.
Marrëveshja hyn në fuqi menjëherë, pasi lojtari mbushi 18 vjeç, ndërsa klubi bavarez e kishte planifikuar prej kohësh këtë hap si pjesë të projektit afatgjatë për një nga produktet më premtuese të akademisë së tij. Madje, sipas raportimeve, palët kanë nisur bisedimet edhe për një zgjatje të mëtejshme të kontratës, që do të përfshinte një rritje të ndjeshme page.
Karl konsiderohet si një nga talentët më të ndritur të brezit të tij në Gjermani dhe ka tërhequr interes të fortë nga klube të mëdha europiane. Real Madrid, Barcelona dhe Paris Saint-Germain e kanë ndjekur prej kohësh zhvillimin e tij.
Po ashtu, interesim kanë shfaqur edhe Arsenal, Chelsea, Liverpool dhe Manchester City, të cilët kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me rrethin e lojtarit.
Megjithatë, Bayern-i ka lëvizur shpejt për të blinduar një nga diamantët e tij, duke konfirmuar besimin te Karl si pjesë e së ardhmes së klubit në “Allianz Arena”.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: