Pas triumfit bindës 4-1 në derbin e Londrës Veriore ndaj Tottenham Hotspur, trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, u shfaq i emocionuar në konferencën për shtypin, duke theksuar rëndësinë e kësaj fitoreje jo vetëm për renditjen, por edhe për moralin e skuadrës.
“Jam jashtëzakonisht krenar për atë që treguam në fushë, por mbi të gjitha për mënyrën se si e përballuam situatën gjatë 72 orëve të fundit. Ajo që ndodhi kundër Wolverhampton Wanderers, kur humbëm dy pikë në minutat e fundit, ishte e dhimbshme. Megjithatë, kjo është pjesë e futbollit”, deklaroi tekniku spanjoll.
Arteta theksoi se reagimi i skuadrës ishte shembullor. “Duhet të ringrihesh menjëherë, edhe kur ndjen zemërim apo zhgënjim. Ne e përdorëm atë moment si motivim dhe e treguam nga minuta e parë deri në të fundit. Ishte një paraqitje e jashtëzakonshme, jo vetëm për cilësinë, por për karakterin.”
Duke u ndalur te repartit ofensiv, ai vlerësoi paraqitjen e lojtarëve të sulmit, veçanërisht të Bukayo Saka. “Më pëlqeu shumë qasja e tij në lojë. Nuk realizoi gol, por ndikoi në çdo aksion dhe dominoi me personalitet. Në ndeshje të tilla, nën presion, duhet të shkëlqesh.”
Në fund, trajneri i Arsenalit nënvizoi rëndësinë e unitetit në skuadër: “Jam krenar për mënyrën se si kemi punuar këto ditë. Mbështetja mes nesh, stafi dhe lojtarët, është thelbësore. Kjo fitore na jep qetësi për të reflektuar dhe për t’u përgatitur sa më mirë për sfidat e ardhshme.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: