Pas triumfit 2-0 ndaj Tiranës në derbin e kryeqytetit, trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja, foli për mediet duke zbuluar detaje nga përgatitja dhe mentaliteti i skuadrës. Ai theksoi se fitorja ishte e planifikuar mirë, duke përdorur analizën e pikave të forta dhe të dobëta të Tiranës, sidomos në goditjet standarde. “Golin e parë e kishim menduar jashtëzakonisht shumë. Kjo fitore shkon për presidencën, tifozët dhe për të gjithë familjen e kuqe,” tha Kërnaja.
Trajneri shpjegoi edhe strategjinë e presingut ndaj lojtarëve kyç të Tiranës dhe rolin vendimtar të Human si mesfushor qendror dhe Skukës me shpejtësinë dhe eksperiencën e tij. Ai u ndal tek meritokracia dhe konkurrenca brenda ekipit, duke theksuar se dhomat e zhveshjes u fituan duke thënë realitetin: kush vrapon dhe lufton, luan.
Kërnaja nuk fshehu dëshirën për rezultat më të lartë: “Rastet i kishim për 3-0, donim të hakmerreshim për humbjen e fazës së parë, por rëndësi ka fitorja 2-0.” Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e mbrojtjes së organizuar dhe bashkëpunimin në fazën e prapavijës për të arritur suksesin në pjesën e përparme.
Tekniku përfundoi me objektivin afatgjatë: “Të kapim Final 4 për të shkuar te titulli. Mos harrojmë ku ishim; janë marrë shumë pikë falë këtyre çunave. Dhimbja e kokës më e mirë për trajnerin është të kemi vështirësi në zgjedhje. Në stërvitje punojmë shumë.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: