Mykhailo Mudryk, futbollisti ukrainas i Chelsea-t, mund të jetë pranë një kthese të pazakontë në karrierën e tij. Pas pezullimit për doping, ish-numri 10 i “Bluve” po mendon seriozisht të lërë futbollin për t’iu përkushtuar atletikës, me synimin për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike ‘Los Angeles 2028’.
Sipas të përditshmes spanjolle Marca, Mudryk po stërvitet tashmë me sprinterët ukrainas, të cilët i kanë hartuar një program të posaçëm për ta përgatitur për pistën e garave. Shpejtësia ka qenë gjithmonë arma e tij më e madhe: në debutimin në Premier League ai regjistroi 36.67 km/h, duke vendosur rekord në akselerim.
Futbollisti nuk ka luajtur një ndeshje zyrtare që prej dhjetorit 2024, ndërsa në qershorin e kaluar FA konfirmoi pezullimin e tij pas rezultatit pozitiv në testin antidoping. Nëse do të realizonte këtë kalim nga futbolli në atletikë, ai do të bëhej një rast unik në sportin modern. Megjithatë, rruga drejt Los Angeles 2028 nuk do të jetë e lehtë: Mudryk duhet më parë të rikthehet në parametrat e përcaktuara nga World Athletics dhe të kalojë provat kualifikuese të Ukrainës në vitin 2027.
Ky vendim, nëse merret, do të shënonte një kapitull të ri të pazakontë për një lojtar që u ble nga Chelsea për 100 milionë euro në vitin 2023, por që nuk arriti të justifikonte pritshmëritë në fushën e blertë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: