Trajneri i Vorës, Arjan Bellai, foli pas barazimit 1-1 në transfertë kundër Teutës, duke e cilësuar një pikë me shumë vlera për skuadrën e tij. Tekniku gjirokastrit analizoi lojën e të besuarve të tij, duke pranuar se pjesa e parë ishte nën nivelin e duhur.
“Në pjesën e parë futbolli kishte fatin brenda, por ne e kishim të tepruar. Teuta na dominoi në çdo aspekt dhe mund të them që luajtëm antifutboll. Vetëm një dalje me Kasallën nga e djathta ishte për t’u mbajtur mend,” – u shpreh Bellai.
Megjithatë, gjithçka ndryshoi pas pushimit, falë ndërhyrjeve taktike dhe futjes së lojtarëve të rinj. “Me futjen e Tabakut, Gecit dhe Uallas rregulluam mbarëvajtjen e ekipit. Ndërrimet dhanë efekt dhe u pa një skuadër tjetër në fushë. Teuta na vuri shumë në vështirësi, por fatmirësisht gjetëm mënyrën për ta balancuar lojën,” – tha trajneri.
Ai veçoi sidomos mbrojtjen për përkushtimin dhe forcën që tregoi: “Jam i kënaqur nga reparti i mbrojtjes, të gjithë dhanë shpirtin sot. Autogolat janë pjesë e futbollit, por rëndësi ka që të shënojmë në çdo ndeshje dhe të mos dalim pa pikë.”
Në mbyllje, Bellai theksoi se skuadra po fiton qetësi dhe identitet në lojë: “Në pjesën e dytë kuptuam çfarë duhej të bënim. Krijuam sistem 3-2-5 dhe arritëm të reagonim siç duhet. Çdo pikë është e rëndësishme.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: