Ndeshja e javës së tretë në Superligën e Kosovës mes Llapit dhe Dritës përfundoi me barazim 1-1, në një duel të fortë dhe me shumë emocione deri në fund.
Pjesa e parë ishte e ekuilibruar, me të dyja skuadrat që krijuan raste të mira, por pa gjetur rrugën e golit. Arianit Hasani dhe Alex Gnapi për Llapin, si edhe Veton Tusha për Dritën, patën mundësi të arta, por portierët u treguan vendimtarë.
Në minutën e 60-të, skuadra vendase kaloi në epërsi me anë të Kushtrim Shabanit, i cili përfitoi nga një situatë e paqartë në zonë pas një harkimi. Disa minuta më vonë, Drita mendoi se kishte barazuar me golin e Muhamed Useinit, por ai u anulua.
Drita reagoi në minutën e 80-të, kur Kristal Abazaj realizoi golin e barazimit pas një pasimi perfekt të Veton Tushës, lojtari më i spikatur i skuadrës mysafire në këtë përballje.
Në minutat e mbetura, të dy ekipet provuan të gjenin golin e fitores, por pa sukses. Pas këtij rezultati, Llapi regjistron vetëm dy pikë në tri ndeshjet e para të kampionatit, ndërsa Drita merr pikën e saj të parë këtë sezon.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: