Randal Kolo Muani nuk do të vazhdojë aventurën e tij me Juventusin. Pas javësh bisedimesh të gjata mes bardhezinjve dhe Paris Saint-Germain, sulmuesi francez përfundon te Tottenhami, në një marrëveshje që për ‘Spurs’-at rezultoi shumë më e favorshme sesa kushtet e kërkuara për Juventusin.
Kushtet e marrëveshjes
Tottenhami siguroi huazimin e lojtarit kundrejt një pagese prej vetëm 5 milionë eurosh, pa asnjë detyrim blerjeje në kontratë. Një diferencë e madhe krahasuar me ofertën e fundit të Juventusit, e cila parashikonte një huazim të kushtueshëm prej 10 milionë eurosh dhe një të drejtë blerjeje mes 45 dhe 50 milionë eurove.
Historia me Juventusin
26-vjeçari kishte lënë përshtypje të mirë në Torino gjatë pjesës së dytë të sezonit të kaluar, ku shënoi 8 gola në Serie A dhe tregoi se mund të ishte një armë e vlefshme për repartin ofensiv të Tudor-it. Për këtë arsye, Juventus e kishte vendosur në krye të listës së përforcimeve për sulmin dhe deri në orët e fundit shpresonte për një “po” nga Parisi. Mirëpo, PSG nuk dha kurrë dritën jeshile, duke e detyruar Juve-n të orientohej te Loïs Openda, tashmë i transferuar zyrtarisht në Torino.
Mundësia e re te ‘Spurs’
Ndërkohë, Tottenham-i u fut në garë i nxitur edhe nga shqetësimet për gjendjen fizike të Dominik Solanke-s. Klubi londinez lëvizi shpejt dhe mbylli marrëveshjen në kushte shumë më të leverdishme. Për Kolo Muanin kjo është një mundësi e madhe për t’u rikthyer protagonist në një ligë të nivelit më të lartë si Premier League dhe për të treguar vlerën e tij edhe në Champions League, kompeticion ku ‘Spurs’-at rikthehen falë triumfit në Europa League.
Ky transferim shënon një zhgënjim për Juventusin, që e kishte parë francezin si sulmuesin e së ardhmes, por edhe një fitore të madhe për Tottenhamin, që e merr me kosto të ulët një lojtar me potencial të madh.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: