Trajneri i kombëtares italiane, Gennaro Gattuso, doli sot para medieve në Coverciano përpara dy ndeshjeve të rëndësishme kualifikuese për Botërorin 2026: të premten ndaj Estonisë, në Bergamo, dhe të hënën kundër Izraelit, në Debrecen. Në krah të tij ishte edhe presidenti i Federatës, Gabriele Gravina.
Gattuso qartësoi situatën e disa prej lojtarëve kryesorë:
Scamacca vuan nga një problem në gju, por ka zgjedhur të qëndrojë me skuadrën. Donnarumma është në prag transferimi te Manchester City: “Duhet të rregullojë disa gjëra, është agjenti i tij që po merret me vizitat mjekësore dhe më pas do të firmosë kontratën”. Tonali gjithashtu ka disa shqetësime fizike.
Çështja ‘Izrael’
Pas thirrjes së kryebashkiakut të Udines, Alberto Felice De Toni, për të shtyrë ndeshjen për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme, Gattuso dha një përgjigje të qartë:
“Israeli është në grupin tonë dhe ndeshja duhet të luhet. Jam njeri paqeje dhe uroj që paqja të mbizotërojë kudo. Na dhemb zemra të shohim civilë e fëmijë që humbin jetën, por ne kemi një detyrë tjetër. Presidenti Gravina po punon për të gjetur zgjidhjen më të mirë që ndeshja e tetorit, në Udine, të zhvillohet në mënyrën më të përsosur”.
Trajneri i të kaltërve u shfaq i vendosur:
“Jam i mbushur me energji, pa frikë dhe me përgjegjësi të madhe sepse kam veshur edhe unë këtë fanellë. Ajo që pres nga lojtarët nuk janë fjalët, por përkushtimi në fushë: ndjenjë përkatësie, gatishmëri për sakrificë dhe aftësi për t’i thënë shokut të skuadrës edhe gjërat e pakëndshme. Duhet të jemi ekip, të reagojmë goditje pas goditjeje. Historia jonë tregon se asnjëherë nuk na ka munguar karakteri”.
Gattuso foli edhe për disa emra të rinj të grumbulluar:
‘Fabbian, i ngjashëm me Frattesi-n, me shumë fizikalitet dhe aftësi për t’u futur në lojë. Esposito, i konsideruar talent i padiskutueshëm për moshën dhe teknikën. Leoni, i cili sipas trajnerit ka treguar personalitet të madh.
Sa i përket Chiesa-s, ai nuk do të jetë në dispozicion: “Fola me të, nuk ndihej 100% gati”.
Stadiumi i Bergamos pritet të jetë i mbushur plot të premten. Gattuso nuk la pa bërë një apel:
“Shpresojmë të dhurojmë gëzim ndaj Estonisë dhe u bëj thirrje tifozëve që të jenë të shumtë edhe në ndeshjen e tetorit kundër Izraelit në Udine. Kemi nevojë për entuziazëm dhe mbështetje, sepse nuk mund të lejojmë më gabime”.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: