Ish-presidenti i Interit, Massimo Moratti, është shtruar në spital për shkak të një pneumonie dhe ndodhet aktualisht në terapi intensive në spitalin “Humanitas” të Rozanos. Lajmi ka ngjallur shqetësim, por bashkëshortja e tij, Milly Moratti, ka dhënë një mesazh qetësues: “Massimo nuk është keq, nuk duhet të jetë asgjë e rëndë. Brenda disa orësh do të dimë më shumë”, u shpreh ajo për ‘La Repubblica’.
Moratti, i cili festoi 80-vjetorin më 16 maj, është intubuar dhe pasi kishte vështirësi në frymëmarrje. Gjendja e tij nuk konsiderohet kritike, por mbetet serioze, dhe gjatë ditës pritet një buletin mjekësor.
Mesazhe të shumta solidariteti kanë ardhur nga bota e futbollit. Adriano Galliani, administrator i deleguar i Monzës dhe ish-drejtues i Milanit, tha: “Moratti është mik dhe një person i jashtëzakonshëm, jam i sigurt që do të rikuperohet”.
Moratti është një figurë ikonike në historinë e Interit, duke fituar 16 trofe në 18 vite drejtim, përfshirë ‘Tripletën’ historike të vitit 2010. Vetëm pak muaj më parë, ai festoi ditëlindjen e tij me mbi njëqind ish-lojtarë të Interit, mes tyre edhe legjendat Ronaldo, Recoba dhe Vieri.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: