Debutimi në Serie A nuk ishte ajo që ëndërronte Ardon Jashari, i cili përjetoi humbjen zhgënjyese ndaj Cremonese-s. Megjithatë, mesfushori i ri i Milanit e sheh këtë nisje si një mësim të vlefshëm:
“Është gjithmonë e rëndësishme të fillosh mirë, sidomos në një klub të madh si Milani. Ndoshta është më mirë që kjo humbje erdhi që në javën e parë, sepse e kuptojmë menjëherë sa e vështirë do të jetë. Për disa nuk është diçka e re, por për të gjithë ishte një lloj zgjimi”, u shpreh ai.
Një nga emocionet më të mëdha të tij është të ndajë fushën me Luka Modric-in, një kampion që sipas Jasharit bën diferencën brenda dhe jashtë fushe:
“Është diçka e veçantë të luash pranë tij. Ne e shijojmë praninë e Modric-it dhe kemi shumë për të mësuar nga ai.”
Sa u përket objektivave, Jashari thekson se fjala “Champions” nuk përmendet shpesh brenda grupit, por të gjithë e dinë qartë qëllimin: “Milani duhet të jetë në krye të renditjes. Nëse fitojmë sa më shumë ndeshje, atëherë edhe Champions League do të vijë vetvetiu.”
I pyetur për stilin e tij të lojës, 21-vjeçari tregon filozofinë që e udhëheq: “Jam një lojtar që dua gjithmonë të fitoj dhe të përmirësohem, qoftë si individ, qoftë si pjesë e skuadrës. Dua që shokët të kenë besim tek unë në çdo situatë, me topin apo në aspektin taktik.”
Edhe roli në fushë nuk është një problem për të: “Mund të luaj si numër 6 ose 8, sipas kërkesës së trajnerit. Për mua nuk ka rëndësi pozicioni, por çfarë kërkon trajneri. Jam i bindur se mund ta ndihmoj skuadrën si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në atë ofensive.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: