Sot, në orën 18:00, në “Grimaldi Forum” të Monacos, do të hidhet shorti i fazës së re të Champions League 2025/26, turneut që këtë vit do të ketë formatin me 36 skuadra në një grup unik. Finalja do të luhet më 30 maj, në “Puskas Arena” të Budapestit, ndërsa të premten, në orën 13:00 do të zhvillohet edhe shorti për Europa League dhe Conference League.
Format i ri, sfida të forta
Ashtu si vitin e kaluar, çdo skuadër do të luajë tetë ndeshje (katër në shtëpi e katër jashtë), duke u përballur me dy ekipe nga secila prej katër vazove. Më pas krijohet një renditje e vetme: tetë ekipet e para kalojnë direkt në fazën me eliminim, tetë të fundit eliminohen, ndërsa skuadrat nga vendi i 9-të deri në 24-tin shkojnë në “play-off”.
Ndryshe nga e shkuara, shorti nuk do të bëhet me “gogla” një nga një, por një program kompjuterik do të përcaktojë menjëherë rivalët pas daljes së secilës kokë serie.
Skuadrat Italiane dhe rreziqet
Italia përfaqësohet nga katër skuadra: Inter (vazoja e parë), Juventus dhe Atalanta (vazoja e dytë), si dhe Napoli i Antonio Contes (vazoja e tretë). Me rregullat e reja, zikaltrit do të ndeshen me dy angleze, ndërsa rreziqe të mëdha janë Arsenali apo Atletico Madrid për Juven e Atalantën, dhe një “grup ferri” me Tottenhamin apo Marsejën për Napolin.
Pretendentët kryesorë
PSG, kampion në fuqi pas triumfit ndaj Interit në finalen e vitit të kaluar, shihet si rivali i madh për t’u mposhtur. Në garë për trofeun janë gjithashtu Real Madridi i Xabi Alonsos, Barcelona e Yamal, Manchester City i Guardiolës, Chelsea i Maresca-s, Liverpool dhe Bayerni i përjetshëm. Anglia sjell plot gjashtë skuadra, ndërsa Spanja pesë.
Debutuesit
Shorti rezervon edhe surpriza historike: për herë të parë në Champions League marrin pjesë Kairat Almaty nga Kazakistani dhe Pafos nga Qiproja, ndërkohë që Bodø/Glimt nga Norvegjia shkruan sërish historinë. Ndeshjet e para do të luhen më 16 shtator, ndërsa kalendari i plotë do të publikohet të shtunën.
Ndarja e skuadrave në vazo
Vazo 1: PSG, Real Madrid, Man. City, Bayern, Liverpool, Inter, Chelsea, Dortmund, Barcelona.
Vazo 2: Arsenal, Bayer Leverkusen, Atlético Madrid, Benfica, Atalanta, Villarreal, Juventus, Eintracht Frankfurt, Brugge.
Vazo 3: Tottenham, PSV, Ajax, Napoli, Sporting, Olympiacos, Slavia Pragë, Bodø/Glimt, Marseille.
Vazo 4: Copenhagen, Monaco, Galatasaray, Union SG, Qarabağ, Athletic Bilbao, Newcastle, Pafos, Kairat.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: