Kosova do ta nisë edhe zyrtarisht gjatë javës tjetër eksperiencën e saj në kualifikimet e Botërorit 2026.
“Dardanët” do të përballen fillimisht me Zvicrën në transfertë më 5 shtator, në kuadër të Grupit B, ndërsa tri ditë më vonë, më 8 të muajit që vjen, do ta presin Suedinë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Gjithashtu, pjesë e këtij grupi është edhe Sllovenia, me të cilën Vedat Muriqi me shokë do të përballen vetëm në muajin tetor.
Trajneri i Sllovenisë, Matjaz Kek, ka folur sot në konferencë për shtyp për grupin në të cilin bën pjesë edhe Kosova, ndërsa trajneri slloven ka folur edhe për “Dardanët” dhe për gjasat e tyre për garën që do të mbahet vitin e ardhshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada e Meksikë.
“Nuk shoh asnjë ekip në grup që nuk e mendon kualifikimin. Por, nuk është asnjë Kombëtare që tashmë e ka siguruar kualifikimin në Botëror. Shumë do të varet nga Sllovenia, ekipi duhet të jetë i vërteti. Vetëm kështu mund të mendosh për Kupën e Botës”, u shpreh fillimisht trajneri i njohur.
“Pas një eksperience aq pozitive në Kampionatin e fundit Evropian, nuk mund të thuash që synimi është të jemi në vendin e tretë apo të katërt, ndonëse edhe kjo mund të ndodhë në këtë grup”, shtoi ai.
“Kosova është në rritje. Suedia ka emra të mëdhenj, sidomos në sulm, dhe Zvicra, që është gjithnjë e pranishme, e ka mënyrën e saj të lojës dhe gjithnjë befason për të mirë. Është grup që ta jep mundësinë për të bërë diçka, nëse e shfaq më të mirën dhe nëse lojtarët japin çdo gjë. Dhe këtë e kanë bërë së fundi”, përfundoi Kek.
Kosova dhe Sllovenia do të përballen më 10 tetor në Prishtinë, kurse ndeshja e kthimit do të luhet në Lubjanë më 15 nëntor.
Natyrisht, favorite e grupit është Zvicra, por nuk mbeten pas as Suedia, Sllovenia e Kosova.
Siç dihet, fituesi i grupit shkon direkt në Botërorin 2026, kurse i dyti luan në fazën e “play-off”-it.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: