Liverpuli ka gjetur një tjetër fitore dramatike në kampionatin anglez, teksa ka mundur me shifrat 3-2 Njukasëllin në transfertë. Kampionët në fuqi të Anglisë vuajtën shumë në një ndeshje që dukej se e kishin në kontroll, por e zgjidhen në limite.
Ata shënuan të parët me Gravenberh në fundin e pjesës së parë dhe morën një ndihmë shumë të madhe nga vendasit kur Gordon u ndëshkua me karton të kuq direkt pas një faulli ndaj Van Dajk. Goli i Ekitike pak sekonda pas fillimit të pjesës së dytë, për të dyfishuar shifrat, la të mendohej se tashmë ndeshja ishte plotësisht në duart e Liverpulit.
Por vendasit, të cilëve u mungonte Isak i cili refuzon të luajë pasi dëshiron të transferohet te Liverpuli, reaguan dhe me anë të Bruno Gimaraesh shkurtuan diferencën. Ata nuk ndalën sulmet edhe pse në inferioritet numerik dhe me Osula gjetën edhe golin e barazimit në minutën e 88 të takimit.
Fati u buzëqeshi në minutat shtesë kampionëve, kur Slot gjeti zëvendësimin e duhur duke aktivizuar 16-vjeçarin Rio Ngumoha.
Sulmuesi i talentuar e pa veten në vendin e duhur në momentin e duhur duke devijuar në rrjetë pasimin e Salah në minutën e 10-të shtesë, për të shënuar golin e një fitoreje 3-2 në ndeshjen e debutimit në Premier Ligë që nuk do ta harrojë kurrë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: