Europa dhe mbijetesa/ Superiorja jep sot verdiktet e fundit, ja çfarë duhet të dini për rregulloren

Europa dhe mbijetesa/ Superiorja jep sot verdiktet e fundit, ja çfarë duhet të dini për rregulloren

15:38, 29/05/2023

Tetë skuadra në ankth për verdiktet, teksa Egnatia ka siguruar Europën nga vendi i tretë dhe Kastrioti ka rënë zyrtarisht nga Superiorja si vend i fundit.

Duhet të kthehemi shumë vite pas për të parë një kampionat që është i hapur për titullin, Europën dhe mbijetesën deri në javën e fundit. 80% e skuadrave janë totalisht në garë për synimet që kanë, me titullin që do të ndahet mes Partizanit dhe Tiranës, ndërsa skuadrat kanë nga 64 pikë secila dhe diferencën e bën vetëm bilanci më i mirë i të kuqve në ndeshjet direkte.

“Demat” presin Teutën që është në vendin e katërt dhe durrsakëve u duhen pikë për të mbajtur pozicionin që të çon në Europë.

Nga ana tjetër, Tirana luan ndaj Erzenit, që i ka jetike pikët, pasi mund të humbasë vendin e tretë, që ia rrezikon një fitore e mundshme e Bylisit.

Luftë e madhe mes tri skuadrave është për vendin e katërt, aty ku Laçi ka ndeshjen më të lehtë në letër, pasi pret Kastriotin.

Një humbje ose barazim i durrsakëve ndaj Partizanit, së pari do të favorizonte Vllazninë, që në rast fitoreje kundër Bylisit në Ballsh, do ta parakalonte Teutën.

48 pikë kanë durrsakët, 47 shkodranët dhe 45 kurbinasit, me këta të fundit që janë në një garë ku duket sikur zihen dy dhe përfiton i treti.

“Djemtë e detit” digjen edhe në rast se e mbyllin me pikë të barabarta me kurbinasit (Laçi favorizohet nga ndeshjet direkte) dhe njëkohësisht Vllaznia humbet në Ballsh.

Ndërsa mbijetesa është një rebus më tepër për zonën “play out”, pasi Kukësi është skuadra më e favorizuar për të shpëtuar direkt, teksa përballet me Egnatian e pamotivuar. Bylisi dhe Erzeni do të kërkojnë të kenë edhe një shans në ndeshjen shtesë, por duhet të mundin respektivisht Vllazninë dhe Tiranën.

Nëse ballshiotët fitojnë dhe shijakasit barazojnë, ekipet e mbyllin me pikë të njëjta (41). Ky variant nxjerr Bylisin të tetin, që ka avantazhin e ndeshjeve direkte.

Rregullorja për Europën dhe rënien nga Superiorja

Klubet që do të fitojnë të drejtën për të marrë pjesë në garat e organizuara nga UEFA, do të përcaktohen si më poshtë:

a) Klubi që shpallet kampion në”Abissnet Superiore” në sezonin 2022-2023, do të marrë pjesë në turin e parë të Ligës së Kampioneve;

b) Klubi që shpallet fitues i Kupës së Shqipërisë, do të marrë pjesë në turin e parë eliminator të Ligës së Konferencës;

c) Klubet që renditen në vendet 2 dhe 3 në klasifikimin përfundimtar të “Abissnet Superiore”do të marrin pjesë në turin e parë eliminator të Ligës së Konferencës;

d) Nëse klubi i shpallur kampion i Superiores fiton njëkohësisht edhe Kupën e Shqipërisë, atëherë ekipi i renditur në vendin e katërt në klasifikimin përfundimtar, do të marrë pjesë në turin e parë eliminator të Ligës së Konferencës;

e) Nëse klubi i renditur në vendin e dytë ose të tretë, fiton njëkohësisht edhe Kupën,atëherë klubi i renditur në vendin e katërt do të marrë pjesë në turin e parë eliminator të Ligës së Konferencës;

f) Nëse skuadra e shpallur kampione, fiton njëkohësisht edhe Kupën dhe nëse skuadra finaliste e Kupës është e renditur në vendet 2 dhe 3, atëherë skuadra e renditur në vendin e 4-t, do të marrë pjesë në turin e parë eliminator të Ligës së Konferencës;

* Skuadrat që në përfundim të sezonit renditen në vendet 9 dhe 10 zbresin direkt nga Kategoria Superiore;

* Në përfundim të sezonit, klubi i renditur në vendin e 8-të në Superiore, do të zhvillojë një ndeshje finale me fituesin e fazës “play off” të Kategorisë së Parë. Ndeshja do të luhet në stadiumin e klubit të renditur në vendin e 8-të. Fituesi do të jetë pjesë e Superiores në sezonin pasardhës.

RREGULLORJA E KLASIFIKIMIT –

Nëse dy ose më shumë ekipe kanë grumbulluar të njëjtën sasi pikësh, renditja e tyre në tabelën e klasifikimit përcaktohet duke mbajtur në konsideratë kriteret si më poshtë:

a) Pikët e grumbulluara në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve përkatëse;

b) Diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve përkatëse;

c) Diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar gjatë kampionatit për sezonin futbollistik2021-2022;

d) Numri më i madh i golave të shënuar gjatë kampionatit;

e) Me short.

JAVA 36:

16:00 BYLIS – VLLAZNIA

16:00 EGNATIA – KUKËSI

16:00 ERZENI – TIRANA

16:00 LAÇI – KASTRIOTI

16:00 PARTIZANI – TEUTA

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco