Kampionati i vajzave/ Vllaznia mund Apoloninë dhe është një hap larg titullit të 10-të kampion

Kampionati i vajzave/ Vllaznia mund Apoloninë dhe është një hap larg titullit të 10-të kampion

19:29, 13/05/2023

Janë luajtur këtë të shtunë të gjitha ndeshjet e vlefshme për javën e 17-të të kampionatit të vajzave. 

Ekipi i Vllaznisë së vajzave është një hap larg titullit të dhjetë kampion në kampionat, pas fitores 2-1 në transfertën e Apolonisë.

Një ndeshje mjaft e luftuar nga të dyja ekipet, teksa protagonistet absolute të takimit ishin Megi Doçi, Arlinda Kodra dhe Valentina Troka e Apolonisë me golat e tyre.

Tirana nuk lëshoi pikë as në këtë javë të 17-të, duke konkurruar denjësisht në këtë edicion të 14-të të kampionatit të vajzave.

Vajzat bardheblu mundën në shtëpi ekipin e Skënderbeut me rezultatin 10-1. Golashënueset e kësaj sfide ishin Kodra, Coka (2), Mbrati, Zarka (2), Alijaj, Metalla e Vishkulli (2) për Tiranën, ndërsa për Skënderbeun realizoi Kejsi Potomi.

Ndeshja e javës së 18-të është vendimtare për Tiranën, që do të ketë përballë ekipin e Vllaznisë, që renditet me tre pikë më shumë në klasifikim se vajzat bardheblu.

Nuk gaboi as ekipi i Partizanit në sfidën kundër Teutës, që fitoi me rezultatin 7-0 në aneksin e stadiumit ‘Niko Dovana’. 

Një trepikësh shumë i rëndësishëm për të kuqet e trajnerit Ylli Shehu, që siguruan që në këtë javë vendin e katërt në kampionat.

Nga ana tjetër, Kinostudio siguroi fitoren e radhës ndaj Kukësit. Në takimin e luajtur në QSK Kamëz, kryeqytetaset mposhtën me shifrat 5-0 ekipin e Kukësit.

Në takimin tjetër të javës, Laçi mori fitoren e dytë radhazi në kampionat, teksa në këtë javë të 17-të mposhti Lushnjen në shtëpi me rezultatin 4-0.

Me këtë fitore, Laçi siguron vendin e gjashtë në edicionin e 14-të të kampionatit të vajzave.

Ndeshjet e javës së 17-të:

Tirana 10–1 Skënderbeu

Teuta 0–7 Partizani

Laçi 4–0 Lushnja

Kinostudio 5–0 Kukësi

Apolonia 1–2 Vllaznia

 

Renditja aktuale

Vllaznia 51 pikë

Tirana 48 pikë

Apolonia 36 pikë

Partizani 31 pikë

Kinostudio 27 pikë

KF Laçi 22 pikë

KF Teuta 15 pikë

Skënderbeu 3 pikë

Kukësi 0 pikë

Lushnja 0 pikë

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco