Bledi Shkëmbi largohet nga Teuta, klubi durrsak rikthen në stol trajnerin rekordmen

Bledi Shkëmbi largohet nga Teuta, klubi durrsak rikthen në stol trajnerin rekordmen

17:39, 21/11/2022

Ka përfunduar aventura e Bledi Shkëmbit në krye të pankinës së Teutës. Tekniku korçar zuri vendin e Renato Arapit në krye të pankinës së skuadrës durrsake, por nuk arriti që të nxjerrë ekipin nga kriza e rezultateve.

Ndërkohë, Teuta nuk ka vonuar për të zgjedhur trajnerin e ri. SuperSport konfirmon se klubi durrsak ka vendosur të rikthejë në stol Edi Martinin, i cili fitoi titullin (2021), Kupën (2020) dhe Superkupën e Shqipërisë (2020, 2021) si trajneri i Teutës.

Kjo është hera e katërt që ish-sulmuesi i njohur shkodran merr drejtimin e bregdetarëve, po sa sa numri i trofeve të fituar si trajneri i skuadrës. Misioni kryesor është rikthimi i ekipit të rezultatet pozitive dhe braktisja e vendit të fundit në renditjen e Superiores.

47-vjeçari drejtoi Teutën për herë të parë në periudhën (qershor 2010-maj 2011). Aventura e dytë që u shoqërua me fitimin e katër trofeve, zgjati nga dhjetori 2019-nëntor 2021, teksa u rikthye sërish në pankinën e Teutës më 16 dhjetor të vitit 2021, por drejtoi ekipin në katër ndeshje dhe u largua më 23 janar të këtij viti.

Shkëmbi ka takuar skuadrën në seancën e sotme stërvitore dhe u ka bërë të ditur vendimin për të mbyllur bashkëpunimin me Teutën. Stërvitja më pas është drejtuar nga Bledar Hodo.

Shkëmbi mori drejtimin e Teutës në javën e 4-t të kampionatit dhe arriti të grumbullojë 6 pikë (1 fitore dhe 3 barazime) në 9 ndeshje në krye të skuadrës durrsake, pa arritur që të largojë skuadrën nga vendi i fundit në renditje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco